Shqipëria bëhet pjesë e mekanizmit europian për Mbrojtjen Civile! Rama: Çdo fatkeqësi natyrore e jona, edhe e BE-së

Politikë | 4 vite më parë

Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Marrëveshja u nënshkrua mes Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Komisionerit Europian për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarçiç.

Kjo marrëveshje do të thotë se në rast fatkeqësi natyrore në vendin tonë është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e BE, e cila vë menjëherë në lëvizje mekanizmin e mbrojtjes europiane me mjete, njerëz e fonde për përballimin e emergjencës.

Marrëveshja u përshëndet nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky është një hap më shumë drejt BE në bashkimin e Shqipërisë me familjen europiane.

“Shqipëria plotëson të gjitha kushtet dhe bëhet anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, çka do të thotë që çdo fatkeqësi natyrore e jona është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e Bashkimit Europian, e cila vë menjëherë në lëvizje mekanizmin e mbrojtjes europiane, duke angazhuar për Shqipërinë mjete, njerëz e fonde për përballimin e emergjencës. Sot jemi një hap më pranë BE-së dhe BE-ja është një hap më afër nesh, në një rrugë që tanimë bëhet çdo ditë e më e përbashkët. Mirënjohje komisionerit europian për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič, pa mbështetjen e të cilit kjo arritje domethënëse do të ishte ende e parealizuar”, shkruan Rama.

Në fjalën e tij, komisioneri përmendi tërmetin dhe zjarret me të cilat është përballur Shqipëria vitet e fundit duke thënë se njësitë europiane iu gjendën menjëherë pranë për t’i ndihmuar.

“Shqipëria tani është e integruar plotësisht në familjen europiane të mbrojtjes civile. Është anëtar i Mekanizmit për Mbrojtjen Civile. Kjo është e rëndësishme pas tërmetit 2019, zjarreve të këtij viti, ne e dimë që do të ketë fatkeqësi në të ardhmen sërish dhe me disa prej tyre mbase nuk do ia dalin dot të vetëm. Shqipëria është një nga vendet të preken nga ndryshimet klimatike. Këto impakte të ndryshimeve po rriten siç e shihni me sezonin e thatë, temperaturat e larta, zjarret në pyje etj. Kjo bën shumë sens që të bashkojmë kapacitetet dhe t’i përballim bashkë. Shqipëria është përballur me tërmet në 2019 dhe kërkoi mbështetje, mekanizmi i njësive europiane shkoi të asistonte. E njëjta ndodhi në verë. Kjo nuk do të ndryshojë dhe Shqipëria do të ketë mundësi të marrë mbështetjen tonë. Shqipëria do të përdorë më shumë pajisje ekspertize dhe të ndërtojë mbrojtjen e saj civile. Të gjithë do të punojmë bashkë për këtë se do të shpëtojë shumë jetë dhe shumë para”, tha Lenarçiç.

Edhe ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë e ka cilësuar firmosjen e marrëveshjes si një ditë të mirë për Evropën dhe Shqipërinë ndaj përgjigjeve për fatkeqësitë natyrore.

“Sot është një ditë e mirë për Evropën & Shqipërinë. Duke u bërë anëtare e plotë e Mekanizmit Evropian për Mbrojtjen Civile, tani ka një vend në tryezën e familjes së mbrojtjes civile. Së bashku, ne mund t’i përgjigjemi më mirë fatkeqësive”, thuhet në reagimin e ambasadës së BE.

Mekanizmi  i mbrojtjes civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme