Pak para protestës, Këlliçi thirrje qytetarëve: Të bëhemi të gjithë bashkë para Kryeministrisë

Politikë | 4 vite më parë

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i ka bërë thirrje sot qytetarëve që të t’i bashkohen protestës së thirrur për në orën 19:00. Me një deklaratë për mediat, Këlliçi akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se prej 9 vitesh nuk e dëgjon zërin e qytetarëve, teksa i kërkon këtyre të fundit që të bëhen të gjithë bashkë para kryeministrisë.

“Si pasardhës i një familje autoktone tironse, se dhe si djalë i lindur dhe rritur në këtë qytet, kam një thirrje për bashkëqytetarët e mi, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike. Bashkohuni me protestën, me zërin e shqiptarëve nga të katër anët e vendit, për një Tiranë dhe Shqipëri më të mirë. Tirana gjithmonë ka ditur të bëjë zgjedhjen e saj, dhe u ka dhënë zgjidhje ngjarjeve në historinë e vendit. Kujtoni dhjetorin 1990, kur punëtorët dhe inteligjencia e kryeqytetit u bënë bashkë me studentët e rretheve dhe rininë e bordurave. Historia e thërret sërish Tiranën të jetë në krye të punëve të Shqipërisë. Toleranca e saj nuk mund të merret për dobësi, qytetaria nuk duhet nënvlerësuar. Tiranasit duhet të dalin sot për inceneratorin që ka djegur miliona, por nuk nxjerr fije tymi. Për koshat me ngjyra ambientaliste, që nuk e kanë zgjidhur problemin e mbeturinave dhe metodat e vjetra të korrupsionit bashkiak. Për trafikun që zgjatet çdo ditë dhe shkurton orët që do donit të kalonit me familjen. Për qytetin e tyre, që dikur kishte kullën e Sahatit dhe sot ka një kullë me orë muri. Nuk u bëj apel vetëm tiransëve autoktonë, por edhe të rinjve. Atyre që kanë ardhur në kryeqytet për një jetë më të mirë, më të drejtë, më cilësore. E ndajmë bashkë të gjithë këtë qytet, jemi aksionerë në të dhe jo jabanxhinj në dyert e pesë oligarkëve, dhe po bashkë duhet të ngrihemi kundër rrënimit të tij.  Tirana është bërë streha juaj, jo vetëm për privilegert, por edhe detyrat. Një prej tyre është që fëmijëve t’u lini një qytet i cili t’i ngjajë qytetit të prindërve të tyre. Të gjithë bashkë, para Kryeministrisë, për të ngritur zërin në veshin e qeverisë që ka nëntë vjet që nuk ju dëgjon”, tha Këlliçi.

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka thirrur një protestë ditën e sotme që pritet të fillojë në orën 19:00 para kryeministrisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme