246-vjetori i pavarësisë së SHBA, Basha: Mirënjohje për mbështetjen që kombi amerikan na ka dhënë

Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha ka uruar SHBA për ditën e Pavarësisë. Me një postim në Facebook, Basha shkruan se 4 korriku i 1776 shënoi lindjen e shtetit që u bë simbol i lirisë dhe mbrojtëse e këtyre vlerave kudo në botë.
Sipas Bashës, SHBA ka frymëzuar popuj për të realizuar idealet e lirisë e demokracisë, teksa shprehet mirënjohës për mbështetjen e dhe ndihmën që ata i kanë dhënë Shqipërisë.
“4 korriku i 1776 shënoi lindjen e shtetit që u bë simbol i lirisë, demokracisë, të drejtave themelore të njeriut, dhe mbrojtëse e këtyre vlerave kudo në botë. Pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka frymëzuar popuj e kombe, për të realizuar ëndrrat dhe idealet e lirisë dhe demokracisë për shoqëri të lira e të emancipuara. Ne shqiptarët e përkujtojmë këtë ditë historike, në 100 vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, me krenari dhe mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kombi amerikan na ka dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë, ashtu edhe më pas, në sfidat e daljes nga errësira e diktaturës drejt dritës së lirisë dhe demokracisë, në çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në procese të tjera të zhvillimit ekonomik të vendit dhe integrimit në BE. Gëzuar 4 korrikun! Zoti e bekoftë miqësinë mes dy kombeve tona”, shkruan Basha.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 246-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Në Shtetet e Bashkuara 4 Korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



