Integrimi në BE, Balla: Javën e ardhshme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare

Politikë | 4 vite më parë

Javën e ardhshme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Lajmin e ka bërë me dije kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij këtë të enjte në Kuvend, i cili u shpreh se është arritur dakordësia mes 27 vendeve të Bashkimit Evropian për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt. Fillimi i bisedimeve është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë nuk e kanë me ne, e kanë me shqiptarët”, tha Balla.

Konferenca e Parë Ndërqeveritare shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim në BE, ku mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore. Këto korniza përcaktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në Konferencën Ndërqeveritare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme