Arrestimet për Vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Alibeaj: Policia e gjunjëzuar para bandës së Elbasanit

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas arrestimit të dy zv.drejtorëve të policisë dhe pezullimit të 6 efektivëve të Forcave Shqiponja, të akuzuar për dëshmi të rremë dhe shpërdorim detyre në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Me një postim në Facebook, Alibeaj shkruan se policia është e gjunjëzuar para bandave. Sipas tij, qyteti i Elbasanit është i kontrolluar nga bandat, teksa akuzon se përfaqësuesit e PS kanë qenë të angazhuar në blerjen e votës dhe intimidin e votuesve “me ndihmën e Policisë apo nën hundën e saj”.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përshëndes vendimin e organit të prokurorisë për procedimin e kupolës drejtuese të Policisë së Elbasanit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 21 Prill 2021. Arrestimi i kupolës së Policisë së Shtetit në Elbasan për ngjarjen e ndodhur në Elbasan pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, demonstron edhe njëherë përfshirjen e shtetit dhe policisë së shtetit në një vepër kriminale, gjunjëzimin e Policisë përpara bandave me mbrojtje politike. Tanimë për të disatën herë është dëshmuar se si Elbasani është kontrolluar nga bandat dhe se policia ka qenë bashkëpunëtore e tyre. Jo vetëm kaq, por hetimet kanë treguar se përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë qenë të angazhuar në blerjen e votës dhe intimidin e votuesve. E gjitha kjo me ndihmën e Policisë apo nën hundën e saj. Zbardhja e plotë e çështjes dhe shkaqeve të saj i shërben interesit publik dhe dhënies së drejtësisë. Mosveprimi i Policisë së Shtetit ndaj grupeve kriminale që kryenin krime zgjedhore ka patur dhe ka prapavijë politike”, shkruan Alibeaj.
Duke kërkuar vijimin e hetimeve deri në zbardhjen e plot ëtë kësaj ngjarje, Alibeaj kërkon t’i jepet përgjigje pyetjes se përse dy zëvendësdrejtorët e Policisë në qarkun Elbasan dhanë dëshmi të rremë.
“Ne inkurajojmë Prokurorinë të hetojë shkaqet e gjunjëzimit të Policisë së Shtetit përpara Bandës së Elbasanit; arsyet se pse Policia e Shtetit edhe pse në vendngjarje, me kërkesë të Partisë Demokratike, nuk veproi ndaj anëtarëve të Bandës që erdhën menjëherë pas saj; kush ishin të gjithë personat e përfshirë për llogari të Partisë Socialiste në atë ngjarje; pse u detyrua Drejtori i Policisë së Shtetit dhe Prokurori i çështjes të gënjenin publikisht para zgjedhjeve dhe më pas të pranonin se trafikanti i drogës Mehmet Greca, pjesë e shtabit politik të Taulant Ballës po blinte vota; kush i detyroi dhe cila ishte arsyeja qe dy zëvendësdrejtorët e Policisë në qarkun Elbasan dhanë dëshmi të rremë? Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nxit prokurorinë për një hetim të plotë, profesional dhe të shpejtë. Përzierja e krimit me politikën dhe angazhimi i grupeve kriminale në zgjedhje nga Partia Socialiste, janë jo vetëm krim, por një njollë turpi për nje vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian”, përfundon postimin e tij Alibeaj.
Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për zëvendësdrejtorin e policisë Berat, Albert Nushi dhe për ish-zëvendësdrejtorin e policisë Elbasan, Nikollaq Palla, si dhe u pezulluan 6 efektivë të forcae “Shqiponja”. Ata akuzohen për dëshmi të rreme dhe shpërdorim detyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




