Takimi i Këshillit të Sigurimit, Xhaçka: Partneriteti OKB-BE, thelbësor në adresimin e krizave

Politikë | 4 vite më parë

Gjatë takimit të radhës të Këshillit të Sigurimit Ministrja e jashtme Olta Xhçka, njëkohësisht kryesuesja e këtij takimi vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes OKB-së dhe BE, duke e cilësuar atë si thelbësor në adresimin e rritjes dhe kompleksitetit të krizave me të cilat përballet paqja dhe siguria ndërkombëtare.

Sipas saj siguria evropiane është sfiduar seriozisht nga agresioni ushtarak ndaj Ukrainës dhe për zgjidhjen e konflikteve, duhet një kornizë multilaterale e bashkuar dhe e fortë.

“Ne besojmë fort, se krizat me të cilat bota po përballet bëjnë thirrje për më shumë multilateralizëm, për më shumë veprime të unifikuara dhe të koordinuara, duke përfshirë mbi të gjitha Këshillin e Sigurimit, Asamblenë e Përgjithshme dhe gjithë sistemin e OKB-së. BE është kontribuesi financiar më i madh, prandaj, ajo duhet të ndikojë dhe të projektojë veprimet e saj lidhur me çështjet humanitare, zhvillimore dhe zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën”, tha Xhaçka.

Kryediplomatja Xhaçka vuri theksin tek mbështetja e BE për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Ajo tha tashmë është koha për të pare rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të përshpejtojë përpjekjet e tij në lehtësimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili duhet të çojë në njohje reciproke. Është koha për të pare rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme”, tha Xhaçka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme