Presidenti Meta uron Papa Françeskun për 85-vjetorin

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka uruar Papa Françeskun në 85-vjetorin e lindjes.
“Gëzuar 85-vjetorin e lindjes Shenjtëria Juaj, Papa Françesku!
Ky përvjetor jubilar, ju gjen si udhëheqësin shpirtëror të besimtarëve katolikë në të gjithë botën, shembull i frymëzimit të shpresës për një botë në paqe e begati ku mbizotërojnë vlerat, dashuria, dinjiteti njerëzor dhe vëllazëria midis besimeve e kombeve.
Ju keni vendosur një gurthemel të çmuar në pasurimin e mëtejshëm të trashëgimisë së marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, përmes Shenjtërimit të Nënë Terezës, të martirizimit të 38 klerikëve katolikë shqiptarë, emërimin e Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi, vizitës Suaj historike në Tiranë, e shumë akte të tjera, duke prekur thellë zemrat e të gjithë kombit shqiptar.
Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për mesazhet Tuaja drejtuar popullit shqiptar, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt europiane.
Duke i mbajtur gjithmonë të gjalla emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë, Ju siguroj se mesazhet Tuaja do të vijoj pa u ndalur t’i përcjell me të gjithë fuqinë time, në të mirë të bashkëjetesës së shkëlqyer ndër besime, të përparimit dhe begatisë së popullit shqiptar.
Gëzuar Ditëlindjen At i Shenjtë!”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




