10 shtatori/ Publikohen procedurat dhe hapat ligjorë që nga konstituimi i Kuvendit, deri tek formimi i qeverisë

Seanca e parë e legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta, për më 10 shtator. Të gjithë emrat e Qeverisë së re tashmë janë bërë publike. Javët e ardhshme konstituohen 2 institucionet më të rëndësishme që do ta drejtojnë vendin për 4 vitet në vijim, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave. Por cilat janë procedurat dhe çfarë pritet të ndodhë nga mbledhja e parë e Kuvendit në seancën plenare, dhe më pas me procedurat për miratimin e qeverisë së re.
Konstituimi i Kuvendit
Më 10 qershor, bëhet mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, kjo mbledhje hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Sipas këtij përcaktimi, seanca e 10 shtatorit do të drejtohet nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.
Më pas 3 deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit, siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat.
Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre. Më pas ngrihet një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë, i cili shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.
Më pas deputetët zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, i cili duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Pas përfundimit të procesit dhe pasi ka një fitues drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.
Votimi dhe betimi i Qeverisë së Re
Pas verifikimit të mandateve, Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Sipas Kushtetutës, në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin. Megjithatë, duke pasur parasysh se në Kuvend kemi një shumicë solide me 74 mandate vetëm të Partisë Socialiste një problematikë e tillë nuk parashikohet që të haset. Më pas Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Pas miratimit nga Kuvendit, para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




