Strehimi i afganëve, Rama për “Il Foglio”: Mikpritja është detyra jonë

Politikë | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane “Il Foglio” shpjegon vendimin e tij për të hapur dyert për afganët që largohen nga vendi i tyre. “Është historia jonë ajo që na e imponon. Ne e kemi parë luftën dhe kemi ende kujtime për të”, theksoi kryeministri Rama. “Nëse Europa është e ndarë edhe mbi Afganistanin është sepse nuk e mban më mend atë që ishte”, thotë  kryeministri Rama. “Kreu i qeverisë socialiste thotë fjalë të qeta dhe të sakta, ato të atyre që besojnë se kanë bërë gjënë më të natyrshme në botë duke qëndruar në anën e duhur të historisë”, thuhet në artikullin e “Il Foglio”.
“Ne italianët e lamë një vit më parë, me atë fjalimin me të cilin ai ofroi ndihmën e mjekëve shqiptarë për vendin tonë të rraskapitur nga pandemia. Sot kryeministri është përsëri atje, në gjendje të flasë me të gjithë…, dhe njofton se si shteti i tij i vogël, pak më i madh se Lombardia, është gati të presë disa mijëra refugjatë afganë”, vijon artikulli. “Ne po flasim për 2-3 mijë persona”, shpjegoi  kryeministri  kryeministri Rama.
Në Itali, nënvizon gazeta, udhëheqësi i partisë kryesore që mbështet qeverinë flet për “disa dhjetëra”. A duhet që Europa, dhe Italia në veçanti, të marrin një mësim nga Tirana? “Nuk dua t’i jap mësime askujt, e lëre më Italisë, me të cilën jam shumë i lidhur. Por, unë them se mikpritja është detyra jonë. Sepse mbaj mend se çfarë ishte për ne shqiptarët”, shprehet Rama. Dhe ndoshta nga këtu vjen natyrshmëria e fjalëve të kryeministrit. “Mbaj mend luftën, mbaj mend Millosheviçin, refugjatët, vdekjen, torturat. Dikur ne shqiptarët ishim për ju ata që afganët janë ndoshta sot, alienë”, tha  kryeministri Rama. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme