Strehimi i qindra afganëve në Shqipëri, Basha: Kemi detyrime si vend anëtar i NATO-s

Politikë | 5 vite më parë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka reaguar pas vendimit të qeverisë shqiptarë për të pranuar përkohësisht qindra afganë në vendin tonë. Lideri i opozitës shkruan se është pro strehimit të afganëve në vendin tonë, ndërsa thekson se Shqipëria duhet të bëjëpjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë.

“Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë”, shkruan lideri i PD.

Gjithsesi, Basha ka kritikuar qeverinë, e cila, sipas tij, e ka bërë vendin të pajetueshëm për qytetarët shqiptarë.

“Rreziqet mbi identitetin tonë kombëtar, si pasojë e shpopullimit të Shqipërisë, nuk lindin si pasojë e zgjidhjeve strategjike në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA, por për shkak të keqqeverisjes së pakicës që e ka bërë vendin të pajetueshëm për qytetarët. Sikurse është detyra jonë të jemi në lartësinë e angazhimeve ndërkombëtare, është po ashtu detyra jonë të jemi në lartësinë e sfidave që ka Shqipëria, për të patur një qeveri që punon për njerëzit dhe mbështet aspiratat e tyre legjitime për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie në vendin e tyre”, shkruan Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme