Durrës/ LSI: Do ndërtojmë zona të lira ekonomike

Politikë | 6 vite më parë

LSI prezanton sot programin për Durrësin. Në këtë takim është lancuar një projekt sipas tyre për zona të lira ekonomike. Elona Guri, e cila është në krye të fushatës në Durrës, ka marrë fjalën e para, e ndërsa ka hedhur akuza ndaj qeverisë ka thënë se në Durrës do të ndërtohen zona të lira ekonomike.

“Kemi shprehur vullnetin për të ndërtuar në Durrës zona të lira ekonomike. Durrësi është kapur në duart e 2 personave. Ne duhet të çlirojmë ekonominë nga monopolet. Ne duhet të tërheqim investimet që krijojnë punësim”, tha ajo.

Ndërsa veç Edmond Haxhinastos, ishin Elona Guri dhe Bahri Shaqiri. Guri do të kryesojë listën e Durrësit për kandidatët për deputetë më 25 prill. Ndërsa do të jetë edhe ish-shefi i Shërbimeve Sekrete, Bahri Shaqiri. Ai më parë ka qenë edhe këshilltari për Sigurinë i presidentit Ilir Meta.

Elona Guri ishte para që foli për programin e Durrësit, duke deklaruar njëherësh se paratë në këtë qytet shkojnë vetëm në katër persona.

“Në platformën politike të LSI-së, kur kemi parashikuar Krijimin e Zonave të Lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, kemi shprehur vullnetin për ta filluar me Durrësin, duke ndërtuar Zonat e Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2. Ekonomia e Durrësit është sot e mbajtur peng, në duart e 3-4 individëve, të cilët përfitojnë çdo gjë duke lënë shumë pak për njerëzit. Që kjo të ndryshojë, pra që njerëzit të fitojnë, secili të marrë atë që i takon, ne duhet ta çlirojmë ekonominë nga monopolet që grupet e interesit kanë krijuar”, tha Guri.

Fjala e plotë e Drejtues Politike të Qarkut të Durrësit, Elona Guri

Kam kënaqësinë të deklaroj të hapur këtë tryezë pune, ku sëbashku me Forumin Ekonomik të Durrësit, do të prezantojmë me detaje për publikun, vizionin e LSI-së për ndryshimin dhe transformimin rrënjësor ekonomik dhe social të Durrësit.

Sëbashku me burimet njerëzore pranë LSI Durrës, profesionistë të fushave të ndryshme është zhvilluar një punë intensive për një periudhë të gjatë kohe, duke marrë në analizë problemet strukturore të ekonomisë, në nivel qyteti dhe qarku Durrës.

Pas konsultimeve me qytetarë, sipërmarrës, akademikë, anëtarë të botës së biznesit dhe aktorë të ekonomisë së vendit është arritur në hartimin e zgjidhjeve konkrete që do të çlirojnë ekonominë në funksion të qytetarëve.

Shqipëria sot, po vuan prej Rilindjes. Si çdo qytetar i vendit edhe qytetarët e Durrësit vuajnë papunësinë, vuajnë ekonomikisht sepse nuk përballojnë dot koston e jetesës, vuajnë për të mbajtur gjallë biznesin prej taksave të larta, kostove të shtuara dhe armiqësisë së qeverisjes aktuale ndaj qytetarëve të ndershëm.

Jeta ekonomike e qytetit, dominohet nga interesat korruptive të lidhjes mes politikës dhe bandave. Kjo, ka sjellë varfëri tek çdo familje durrsake. Ka sjellë shpopullim, ka sjellë humbje shprese.

Në portin më të madh në Shqipëri, bëhen ‘të pabërat më të mëdha’ në kurriz të vendit. Kur e kundërta duhet të ishte e vërtetë.

Edhe përpara tërmetit dhe pandemisë, jeta në Durrës ishte në krizë. Një jetë pa perspektivë, e mbushur me vështirësi dhe pengesa për rininë, për gratë, për investitorët dhe sipërmarrësit.

Projektin e rindërtimit, ne e kemi parë nga afër edhe me kryetaren e LSI-së në takime me qytetarët, ai po përdoret për demagogji, sepse beton ka për projektet e pastrimit të parave dhe jo për ndërtimin e shtëpive të durrsakëve.

E ndërsa rindërtimi është demagogji, vaksinimi është elegji. Fjalë në ajër, zero mbështetje nga qeveria.

Kjo merr fund në 25 Prill. Ne kemi marrë angazhimin, t’ia kthejmë Durrësin qytetarëve të zakonshëm. Durrsakëve të ndershëm që paguajnë taksa dhe nuk marrin shërbim, që nisin fëmijët në shkollë por s’marrin arsim, që kanë dëshirë të jetojnë këtu, por s’marrin perspektivë zhvillimi nga shteti.

T’ua kthejmë, atyre mijëra njerëzve që kam takuar në këto muaj, të cilët, inatin me padrejtësitë që përballen duan dhe duhet ta kthejnë në forcë ndryshimi, që Durrësi të jetë shtëpia e tyre dhe jo shtëpia e mafias dhe e krimit.

Për këtë arsye, në platformën politike të LSI-së, kur kemi parashikuar Krijimin e Zonave të Lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, kemi shprehur vullnetin për ta filluar me Durrësin, duke ndërtuar Zonat e Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2.

Ekonomia e Durrësit është sot e mbajtur peng, në duart e 3-4 individëve, të cilët përfitojnë çdo gjë duke lënë shumë pak për njerëzit. Që kjo të ndryshojë, pra që njerëzit të fitojnë, secili të marrë atë që i takon, ne duhet ta çlirojmë ekonominë nga monopolet që grupet e interesit kanë krijuar.

Ne duhet jo vetëm të nxisim investimet vendase, por duhet të tërheqim investime që krijojnë punësim dhe rritje ekonomike. Duhet ta kthejmë Shqipërinë në Shtëpinë e Investimeve, që investitorët e huaj me potencial të mos shohin drejt Maqedonisë, Serbisë apo vendeve të tjera në rajon, por le të vijnë në Durrës, të punojnë me durrsakët, të krijojnë vende pune në Shqipëri dhe të rritemi sëbashku.

Zonat e Lira Ekonomike, sipas modelit tonë do t’ua mundësojnë atyre këtë gjë, duke mënjanuar çdo pengese që aktualisht i ka ngritur Rilindja investitorëve të huaj për të ardhur në Shqipëri.

Ndërsa Rama nuk i do investitorët e huaj, që ekonomia shqiptare të jetë monopol i oligarkëve, me ndryshimin që vjen, ekonomia kthehet në shërbim të të gjithëve.

Pozicioni gjeografik, Porti i Durrësit, lidhja infrastrukturore, afërsia me aereoportin dhe lidhja tokësore me Kosovën dhe rajonin, sëbashku me burimet njerëzore profesionale që jetojnë në Durrës, tregojnë më së miri për potencialin e zhvillimit.

Potencial, të cilit i ka mungur deri më sot, vullneti nga politika që ta vendosë Durrësin në shërbim të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve të tij. Ndërsa i gjithë programi i LSI ka synim kryesor PUNËSIMIN E QYTETARËVE, ky projekt specifikisht e kthen Durrësin në motor të punësimit masiv dhe të mirëpaguar.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme