Bypass-i i Tiranës përfundon në shtator 2027, Karakaçi: Në nëntor nisin shpronësimet për Kashar-Rrogozhinë

Bypass-i i Tiranës parashikohet të përfundojë në shtator të vitit 2027. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë inspektimit të punimeve së bashku me kryeministrin Edi Rama, bëri të ditur se në 10 kilometrat e parë të aksit janë realizuar rreth 50% e punimeve në dy lotet e kontraktuara.
“Ku jemi në 10 km e para. Punimet kanë ecur mirë, jemi në nivelin e rreth 50% të punimeve të kryera në dy lotet që janë kontraktuar. Pjesa tjetër vijuese, sepse gjithë aksi është 21 km, pra 11 km të tjera, është me financim të BERZH, por ne kemi marrë dhe një grant 40% nga Korniza e Ballkanit Perëndimor për investimet. Ne presim që brenda 3 muajve të parë të 2027 të miratojmë marrëveshjen e financimit me BERZH për të vijuar punimet”, deklaroi Karakaçi.
Ministri theksoi rëndësinë strategjike të këtij aksi për lidhjen e segmenteve kryesore të Korridorit Blu, duke bërë të ditur se Bypass-i i Tiranës do të shërbejë si një nyje e rëndësishme ndërmjet akseve rrugore. “Aks shumë i rëndësishëm sepse lidh dy koncesionet e Korridorit Blu edhe aksin Thumanë-Kashar me Kashar-Lekaj”, u shpreh ai.
Sa i përket projektit Kashar-Lekaj, Karakaçi bëri të ditur se janë përfunduar procedurat e miratimit të projektit teknik dhe projektit të zbatimit, ndërsa nisja e punimeve parashikohet brenda këtij viti.
“Aksi Kashar-Lekaj ka ecur mirë, kemi miratuar dhe projektin e zbatimit e projektin teknik. Brenda fundit të vitit ne fillojmë ndërtimin”, deklaroi ministri.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe segmenti Kashar-Rrogozhinë, për të cilin sipas Karakaçit, gjatë muajit nëntor parashikohen shpronësimet e para dhe deri në fund të vitit nisja e punimeve.
“Brenda muajit nëntor unë parashikoj shpronësimet e para të koncesionit Kashar-Rrogozhinë dhe brenda fundit të vitit fillojnë dhe punimet për këtë aks të rëndësishëm që lidh gjithë Korridorin Blu. Edhe segmenti që sapo pamë, Bypass-i i Tiranës, bën ndërlidhjen e Korridorit Blu”, u shpreh Karakaçi.
Ministri konfirmoi se afati i parashikuar për përfundimin e Bypass-it të Tiranës është shtatori i vitit 2027. Vepra me gjatësi 21 kilometra synon të lidhë akset kryesore kombëtare, duke shmangur kalimin e automjeteve përmes kryeqytetit dhe duke lehtësuar qarkullimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




