Xhaçka: Konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në, plotësisht e mundur brenda qershorit

Politikë | 6 vite më parë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se “data e Konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në është plotësisht e mundur që të mbahet deri në qershor”.

Në një intervistë televizive, Xhaçka tha se “kemi pasur disa bashkëbisedime shumë pozitive edhe me Komisionerin për Zgjerimin Varhelyi, por edhe me ministrin e Jashtëm portugez, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit deri në 30 qershor”.

“Pritet që do të jetë vendi që do të miratojë apo shtyjë këtë proces përpara nga presidenca gjermane dhe do të miratojë kornizën negociuese për dy vendet tona dhe pastaj do të vendosë datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Mendoj se është plotësisht e mundur dhe në fjalët e ministrit të Jashtëm portugez kjo nuk është vetëm një gjë plotësisht e merituar prej Shqipërinë për shkak të reformave të ndërmarra që po ecin në drejtimin e duhur dhe të kushteve të plotësuara por është një çështje edhe kredibiliteti të BE-së”, tha ajo.

“Prandaj sipas fjalëve të tyre, sipas mbështetjes edhe konfirmimit që kemi marrë edhe nga partnerët e tjerë, pra anëtarë të BE, vlerësime për punën e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut deri tani për të gjitha arritjet dhe kushtet e plotësuara, ne presim që këto mundësi realisht të plotësohen. Pra edhe korniza negociuese edhe konferenca e parë ndërqeveritare që do të lançojë negociatat mes nesh dhe BE-së të bëhen brenda 6-mujorit të parë të këtij viti”, tha ajo.

Xhaçka tha se “është një kohë shumë sfiduese me një axhendë goxha sfiduese, edhe sepse kemi disa objektiva afatshkurtër dhe afatmesëm goxha ambicioz por edhe për faktin se kushtëzimet që sjell pandemia e bëjnë ndërveprimin pak më të vështirë dhe ndërveprimi edhe në nivel personal është domosdoshmëri në këtë dikaster”.

“Prioritetet tona padiskutim nisin me integrimin. Ne presim që në 6-mujorin e parë të vitit të miratohet korniza negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të vendoset data për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë”.

“Pa diskutim që një nga prioritetet kryesore dhe shumë të rëndësishme është edhe kandidatura e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mund të thuhet se kjo është tryeza vendimmarrëse më e rëndësishme e botës dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë, për pjekurinë e diplomacisë tonë, për të marrë drejtimin në një tryezë të tillë, por edhe sepse do të na japi mundësinë pas kryesimit shumë të suksesshëm të OSBE-së dhe eksperiencës që kemi fituar prej saj që të bashkëveprojmë me aleatët tanë shumë të rëndësishëm edhe strategjikë në atë tryezë kaq të rëndësishme, ku diskutohen çështje të një rëndësie të veçantë dhe ku mund të shtyhen çështje të cilat janë edhe prioritare për vendin tonë, siç janë ato të bashkëjetesës fetare apo të grave, paqes dhe sigurisë dhe shumë e shumë çështjeve që trajton kjo organizatë ndërqeveritare mbarëbotërore”, tha ajo.

Prioritet tjetër i rëndësishëm, sipas Xhaçkës, është edhe shtyrja e diplomacisë ekonomike, pra të çuarit më tej. “Është bërë një punë goxha e mirë gjatë këtyre viteve, por pandemia edhe këtë objektiv e ka kushtëzuar dhe vështirësuar. Unë synoj që t’i jap një impetus të ri edhe për rëndësinë që ka për investimet që mund t’i sjellë vendit, por edhe për zhvillimin social ekonomik të vendit”, shtoi ajo.

Xhaçka tha se “një nga prioritetet gjatë drejtimit të këtij dikasteri prej meje është edhe reformimi i shërbimit diplomatik, apo i sistemit tonë diplomatik”.

“Është ngritur një grup me disa nga ambasadorët apo diplomatët më më eksperiencë dhe po shohim kush janë pikat e forta të shërbimit tonë diplomatik që është edhe ‘thembra e Akilit’ e diplomacisë tonë për t’i shtyrë përpara apo për t’i nënvizuar dhe pastaj kush janë dobësitë për të cilat duhet bashkërisht të punojmë për t’i përmirësuar si në aspektin administrativ edhe në atë ligjor”, tha ajo.

“E para, kandidatura për një vend në Këshillin e Sigurimit për vitin 2022-2023 është një prioritet absolut i vendit tonë dhe kjo nuk ka lidhje me cilëndo parti politike që do të jetë në pushtet. Siç e thashë është një privilegj i jashtëzakonshëm që mbas 65 vitesh anëtarësi në Kombet e Bashkuara, Shqipëria më në fund ta ketë një mundësi të tillë dhe vlen të thuhet që të gjitha premisat janë që nga gjysma e dytë e këtij viti Shqipëria do të jetë pjesë e 15-shes në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria e meriton dhe do të mbështetet edhe për rolin që ajo ka luajtur dhe kontributin që ajo ka dhënë për paqen dhe sigurinë. Ne mendojmë se është një gjë e jashtëzakonshme që po ndodh dhe ne jemi duke punuar ngushtësisht edhe me ekspertët tanë dhe ata ndërkombëtarë që Shqipëria të paraqitet në këtë garë me një kartvizitë shumë dinjitoze, duke filluar nga një broshurë, e cila do të tregojnë cilat janë principet udhërrëfyese të politikës tonë të jashtme, vlerat që ne mbrojmë, cili është kontributi që Shqipëria ka dhënë për multilateralizimin dhe paqen dhe sigurinë. Bashkë me broshurën do të kemi logo, slogan, do të kemi shumëçka për ta prezantuar Shqipërinë denjësisht deri në momentin që kjo mundësi do të realizohet”, shtoi ajo. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme