Sonte emisioni ‘Përballë’ në RTSH1-HD: Ushtria përballë përmbytjeve lokale dhe angazhimit global!

Politikë | 6 vite më parë

Reshjet e sotme dhe të ditëve të fundit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes problemin e vjetër të përmbytjeve! Arsyet dhe shkaqet janë të shumta. Në situata të rënda gjithmonë në vijën e parë shohim ushtrinë. Ushtria është gati dhe po evakuan familje të rrezikuaura, është gati për të hapur rrugë të bllokuara nga dherat apo bora, është gati për të ndërtuar ura emergjente dhe për të bërë çdo gjë tjetër që nuk arrijnë të bëjnë autoritetet lokale dhe qëndrore. Si rregull, ushtria është instrumenti i fundit që përdoret pasi janë përdorur gjithë instrumentat e tjerë. Këtu ushtria vepron  si urgjencë për të përballuar emergjenca!

Po a është ky misioni kryesor i ushtrisë?

Në një botë ku shqetësimi kryesor sot është ngrohja globale dhe pasojat që ajo sjell nuk mund të neglizhohen as vatrat e nxehta, as konfliktet e ngrira dhe as zonat ku është gati të shpërthejë lufta. Shqipëria ka sot 200 efektivë që shërbejnë në misionet e NATOs dhe BE-së nga Afganistani në Afrikë duke kontribuar për sigurinë kolektive në nivel global. Po sa të përgatitur jemi për sigurinë në Shqipëri dhe sot kuptimi i sigurisë nuk është vetëm territorial dhe fizik, por rëndom edhe kibernetik!

Vende fqinjë po blejnë armatime të shumta në emër të sigurisë. Pyetja është a ka plan tjetër sigurie Shqipëria përveç çadrës së mbrojtes që ofron NATO?

Ministri i ri i Mbrojtes pavarësisht se ka vetëm 3 javë në detyrë dhe 3 muaj në dispozicion deri në zgjedhjet e 25 prillit thotë se dëshiron të lerë gjurmë në krye të dikasterit të Mbrotjes.

Gjerësisht është komentuar se ministri i ri është në këtë pozicion për shkak se është dhe drejtues politik i qarkut të Korçës.  A mund ta çlirojë ministri pozicionin e tij nga përdorimi elektoral? A e ka ai forcën, besimin dhe mbështetjen që këto 3 muaj të bëhen paradhoma e një qeverisjeje jetëgjatë në këtë fushë, për të cilën publiku nuk është se i gjen ndonjë lidhje të dukshme?

Sonte në #Përballë do të flasim për urgjencat e ditës, planet e së ardhmes në lidhje me sfidat e sigurisë që ka vendi me ministrin e Mbrojtes Niko Peleshi. Ora 21.00, RTSH 1

Pj. II – Vetëvendosja: qeveri në Prishtinë dhe deputetë në Tiranë!?

14 shkurti, dita e Shën Valentinit, në Kosovë ka të ngjarë të thirret dita e Shën Vetvendosjes/Albinit Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sondazhet favorizojnë Lëvizjen Vetëvendosje si forca e parë, ndërkohë që objektivi i saj është të marrë mbi 50% të mandateve për të krijuar e vetme qeverinë.

Lëvizja Vetëvendosja është parti e parë në dy ballafaqimet e fundit zgjedhore (më 2017 dhe 2019), por qeveria e fundit e drejtuar prej saj pati vetëm dy muaj jetë. Pas 3 javësh Vetëvendosja kërkon mandat për të qeverisur e vetme dhe baza e saj elektorale janë të rinjtë, gratë dhe dispora.

Nëse në Kosovë, Vetëvendosja synon drejtimin e qeverisë, Qendra  e saj në Tiranë, e regjistruar si organizatë jo qeveritare, ka vendosur të paraqesë kandidatë në Kryeqytet dhe në Lezhë, në një përpjekje për të patur përfaqësim në Kuvend. Vetëvendosja ka në qendër të programit të vet, bashkimin kombëtar. Një sondazh i kryer më 2019 në Shqipëri dhe Kosovës tregon se 84% e shqiptarëve në Shqipëri dhe 66.4% e shqiptarëve në Kosovë zgjedhin më parë Bashkimin Europian sesa Bashkimin Kombëtar.

Kryetari i Qendrës së VV në Shqipëri, Bojken Abazi është i njohur në Kosovë pasi ka kontribuar disa vite në Lëvizjen Vetëvendosje. Në Shqipëri njihet më shumë nga aktivitetet opozitare  të kohëve të fundit, në përkrahje të grevës së studentëve, lëvizjes për Mbrojtjen e Teatrit apo në manifestime e protesta kundër qeverisë. Çfarë kërkon Vetëvendosja në Tiranë dhe a do të kthehet Qendra në Parti Politike. Sonte në #Përballë me kandidatët e Vetëvendosjes në Shqipëri. Ora 21.45, RTSH 1


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme