6 mld euro për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor, Këshilli i BE-së bie dakord për planin

Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Plani, i paraqitur nga KE në nëntor të vitit 2023, do të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në ndërmarrjen e një grupi gjithëpërfshirës reformash socio-ekonomike, duke përfshirë sundimin e ligjin, mbështetje për procesin e zgjerimit dhe të përshpejtojnë konvergjencën ekonomike me BE-në.
Duke mbuluar periudhën nga viti 2024 deri në 2027, plani pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor, konkretisht Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë. Pagesat do t’i nënshtrohen kushteve strikte për sa i përket arritjes së reformave të përcaktuara në axhendën e reformave të miratuar nga secili vend.
Më 8 nëntor 2023, Komisioni Europian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, së bashku me paketën e tij vjetore të zgjerimit.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla, që synojnë rritjen e integrimit ekonomik të partnerëve të Ballkanit Perëndimor me tregun e vetëm të BE-së, nxitjen e integrimit ekonomik brenda rajonit përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e ndihmës financiare që mbështesin reformat.
Zbërthimi i 4 pikave
Rritja ekonomike
Pika e parë është rritja ekonomike që synon integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e tregut të vetëm dhe hapja e fushave përkatëse për të gjithë fqinjët e tyre në të njëjtën kohë, në përputhje me Tregun e Përbashkët Rajonal.
“Fushat kryesore janë lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, zona e vetme e pagesave në euro, transporti, energjia dhe tregu i vetëm digjital”, thuhet në dokument.
Nxitja e integrimit
Nxitja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, është një tjetër çështje që përfshihet në plan, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të shtojnë 10% në ekonomitë e tyre.
Përshpejtimi i reformave
Plani ka të bëjë edhe me përshpejtimin e reformave themelore, mbështetja e rajonit drejt anëtarësimit në BE, përmirësimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Rritja e ndihmës financiare
Rritja e ndihmës financiare ka si qëllim për të mbështetur reformat themelore. Instrumenti prej 6 miliardë eurosh përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare, me pagesë të kushtëzuar nga përmbushja e reformave specifike nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Plani i Rritjes bazohet në Planin Ekonomik dhe Investues prej 30 miliardë eurosh, i nisur që në vitin 2020. Tani i mbetet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të shqyrtojnë propozimin.
Çfarë ndodh pas miratimit?
Pasi të miratohen, gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të paraqesin agjendat e tyre individuale të reformave duke paraqitur reformat social- ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024- 2027. Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Aktualisht, BPV-ja mesatare për kokë banori i rajonit qëndron ndërmjet 30% dhe 50% të mesatares së BE-së. Integrimi me tregun e vetëm të BE-së ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së. Ndikimi pozitiv në BPV-në e një vendi dhe nivelet e të ardhurave që rrjedhin nga integrimi me tregun e vetëm të BE-së është demonstruar qartë në të kaluarën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




