Scholz: Dialogu me Kosovën të sjellë marrëveshje gjithëpërfshirëse! Vuçiç: S’varet vetëm nga ne

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kancelari gjerman Olaf Scholz është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Berlin, ku në fokus ka qenë dialogu mes dy vendeve të Ballkanit për normalizimin e marrëdhënieve. Vuçiç tha se Beogradi është i gatshëm për një marrëveshje me Prishtinën por kjo nuk lidhet vetëm me dëshirat e Serbisë , por edhe me ato të palës tjetër.
“Do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por siç e kemi të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër. Do të gjendet kurajo për të bërë progres në këtë proces që nuk është i lehtë për Serbinë’, tha Vuçiç.
Kancelari Scholz tha se Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme.
“Kam biseduar me presidentin Vuçiç për rëndësinë e progresit në dialog që duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen brenda dialogut, kjo kërkon guxim dhe vendosmëri dhe të gjitha detyrimet e dakortësuara duhet të respektohen”, tha Scholz.
Lidhur me luftën në Ukrainë, ku Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiç tha se e kuptuar mesazhin e Gjermanisë.
“Sa i përket Serbisë, ne kemi një qëndrim tjetër për Kosovën, Serbia ka qenë nën sanksione për një dekadë të tërë dhe është një ndjenjë ndryshe nga shumica e të tjerëve. Serbia e kuptoi mesazhin e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve”, tha Vuçiç.
Më herët Scholz u takua me Albin Kurtin ku tha se Gjermania është e angazhuar për liberalizimin e vizave me Kosovën që kjo gjë të ndodh sa më shpejtë dhe se njohja e saj do të jetë pjesë marrëveshjes që do të bëjë me Serbinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




