Synimi për “Ballkanin e hapur” në “Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal” në Shkup

Rajon | 5 vite më parë

Në Shkup pritet të nisi të enjten paradite “Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal” një nismë e cila synon të arrijë rezultate të dukshme në krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (Mini Shengeni), për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Sikurse njofton e dërguara e RTSh Denada Shkodrani, slogani i këtij forumi pritet të jetë “Ballkani i Hapur”. Ideja e hedhur si “Mini Shengeni i Ballkanit” ka nisur në tetor të vitit 2019 në Nish të Serbisë, që atëherë zhvillohen takime të vazhdueshme për të konkretizuar planin ekonomik të 4 lirive, qarkullimi i kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Në Shkup klima e zhvillimit të forumit duket mjaftë pozitive. Tre figurat kryesore kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë parë të shëtisin sëbashku dhe të marrin përshëndetje nga qytetarët e Shkupit, disa edhe në gjuhën shqipe.

“Ballkani është shtëpia jonë e përbashkët europiane në të cilën mbështesim veten dhe në të cilën promovojmë marrëdhëniet. Pamja jonë është përpara, për një të nesërme më të mirë, për rritjen ekonomike dhe zhvillimin, për një mirëqenie për popujt tanë” shkruajti me këtë rast në rrjete sociale kryeministri maqedonas Zaev që është edhe mikpritësi i forumit.

Tre liderët do të nënshkruajnë memorandume dhe marrëveshje të bashkëpunimit rajonal. Bëhet fjalë për lehtësimin e lëvizjes së mallrave, për lehtësimin e procedurave të punës dhe për bashkëpunin në raste emergjencash.

Kosova nuk do të marri pjesë në Forumin e Shkupit. Zyra e qeverisë së Kosovës ka konfirmuar për Euronews Albania se kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm. “Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, iu përgjigj zyra e kryeministrit, interesimit të Euronews Albania.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme