Hapet kampusi i UNED në Gjirokastër

Sociale | 2 vite më parë

Universiteti Kombëtar i Arsimit në Distancë (UNED) i Spanjës, një institucion publik model që sjell eksperiencën më të mirë spanjolle dhe europiane, hapi të mërkurën zyrtarisht kampusin më të ri në qytetin e Gjirokastrës.

Në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të ri ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; rektori i UNED, prof. Ricardo Mairal Usón; ambasadori i Spanjës në Tiranë, Alvaro Renedo Zalba; kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi; stafi akademik i Universitetit “Eqrem Çabej” si dhe të rinj e studentë të këtij universiteti.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi këtë hap, si një moment historik për arsimin e lartë në Shqipëri. Ajo theksoi se ky kampus përfaqëson një standard të ri arsimor që vjen për herë të parë në Shqipëri.

“UNED është një mundësi unike dhe është një gur kilometrik në të gjithë kapitullin e ndërkombëtarizimit në raport me ofertën akademike për të rritur cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri,” tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “Për hapjen e UNED nuk mund të gjendej një vend më i mirë se sa Gjirokastra, Sokakët e saj janë bërë korridore ku flitet spanjisht për shkak të turistëve “. Ministrja tha se “sot Gjirokastra, duket se është destinacioni i preferuar i turistëve spanjollë, të cilët vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Në ceremoninë e sotme, Universiteti “Eqrem Çabej” nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me UNED për të zgjeruar shkëmbimet akademike dhe për të përshtatur ofertën arsimore sipas kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit turistik të Gjirokastrës, qytet i listuar në UNESCO.

Për studentët shqiptarë, kjo është një mundësi unike për një arsim cilësor në distancë, rritjen e standardeve akademike, duke i përgatitur ata për sfidat e tregut të punës dhe për të qenë konkurrues në nivel ndërkombëtar.

Kampusi do të jetë aktiv që këtë vit akademik 2024-2025 dhe regjistrimet për programet e reja në këtë universitet janë hapur online deri më 5 nëntor, për të gjithë studentët shqiptarë dhe ata nga rajoni, pa kufizime gjeografike.

Në këtë kampus, studentët do të kenë mundësinë të ndjekin programe studimi të ofruara nga UNED, të pajisur me standardet ndërkombëtare dhe të përfitojnë nga bursa përmes bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Sipas ATSH

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme