Marrëveshje me 4 bashki për decentralizimin e disa shërbimeve, Ministrja Koçiu: Rrisim cilësinë e shërbimeve

Në kuadër të procesit të decentralizimit, nismë e Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, u nënshkruan sot marrëveshjet në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe bujqësisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, nënshkroi marrëveshjen për decentralizimin e funksioneve në kujdesin shëndetësor parësor me kryetari e Bashkisë Berat, Ervin Demo, kryetarin e Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe kryetarin e Bashksë Kolonjë, Erion Isaj.
Gjatë kësaj ceremonie organizuar në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në ambientet e Kryeministrisë, marrëveshje për decentralizimin e funksioneve nga niveli qendror në nivelin vendor u nënshkruan edhe në fushën e arsimit dhe të bujqësisë nga Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj
Në fjalën e saj, Ministrja Koçiu ka theksuar se “nëpërmjet kësaj marrëveshjeje jemi duke krijuar mundësitë që edhe shërbimet shëndetësore aq të domosdoshme, aq të nevojshme për gjithë komunitetet të mund t’i japim mundësi bashkisë vetë së pari të luajë rol në vendimmarrje”.
“Sot japim mundësinë që po sërish nëpërmjet këtyre partneriteteve, qeverisjes qendrore dhe pushtet vendor, organizata të shoqërisë civile por edhe partner të tjerë, të bëjmë të mundur jo vetëm ofrimin e shërbimeve sociale, jo vetëm decentralizimin e një prej funksioneve kryesore, por të bëjmë të mundur dhe decentralizimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, u shpreh Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “e gjithë kjo sipërmarrje dhe kjo marrëveshje, patjetër që vendos një normë të re në mënyrën se si ofrohen shërbimet. Çdo mekanizëm i shtuar në funksion të operimit të vetë bashkive në territor do të jetë patjetër në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës dhe të shërbimeve për komunitetet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




