“Jeta e nëntokës del mbi tokë” – Ekspozitë fotografike nga miniera e Memaliajt

Sociale | 2 vite më parë

Seimen Gjokoli, i cili sot shikon një fotografi të tij nga vitet e kaluara kur ka punuar në minierën e qymyrgurit, përjeton emocione të thella. Ai ndan jo vetëm portretin e tij, por edhe një pjesë të rëndësishme të jetës së tij dhe të gjithë historisë së këtij qyteti.

“Unë në Memaliaj kam ardhur në 1978 sapo mbarova universiteti. Është nostalgji për të gjithë këtë armatë të madhe punëtorësh, drejtuesish e inxhinierësh. Të gjithë ata që kanë shërbyer këtu i kanë dhënë ekonomisë shqiptare vlera të jashtëzakonshme”, tha ish minatori Seimen Gjokoli.

Ekspozita, e hapur gjatë aktivitetit “Memaliaj na Thërret,” ka për qëllim të njohë të gjithë vizitorët, vendas dhe të huaj, me jetën e nën tokës së qytetit.

“Të gjitha materialet janë pjesë e arkivave të ndryshme dhe e sendeve të dhuruara nga qytetarët”, tha përfaqësuesi i muzeut, Edmond Sala.

Gjithashtu, Bashkia e Memaliajt ka hapur një muze të veçantë për jetën e minatorëve. Ky muze, i cili vazhdon të pasurohet çdo ditë, ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh vizitorësh, duke ofruar një pasqyrë të pasur mbi historinë dhe trashëgiminë e minierës.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme