Kryeministri Rama: Pushuesit në Velipojë vlerësojnë pastërtinë dhe organizimin

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionet e disa prej pushuesve që kanë zgjedhur Velipojën këtë sezon veror. Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës është ndër më të preferuarit për vizitorët vendas dhe të huaj, në të gjitha stinët.
Velipoja njihet për rërën me efektet e saj kurative, ndërthurjen me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që e bëjnë për vete çdo vit pushues.
Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti.
“Dhe vjet ishte mirë, edhe parvjet, por sivjet është edhe më mirë. Me të vërtetë që është bukur plotëson kushtet dhe rëra është e mirë”, u shpreh një pushues.
Një tjetër pushues i cili e kishte frekuentuar këtë plazh edhe një vit më parë konfirmon se këtë vit është më mirë.
“Me të vërtetë kanë bërë jashtëzakonisht ndryshime. Kanë lënë zona publike. Kjo i vjen në ndihmë të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë plazhet private”, shtoi një tjetër pushues.
Qetësia dhe siguria në plazh është një tjetër element që vlerësohet nga pushuesit.
“Është policia detare, se ka qenë skandal vitet e tjera. Unë kam parë policë me biçikletë duke kaluar këtu, që është shumë mirë. Edhe pjesa e plazheve publike është shumë më mirë se vitet e tjera”, u shpreh një tjetër pushuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




