Rikonstruktohet Poliklinika e Elbasanit – Shtohen aparaturat mjekësore, përmirësohet shërbimi

Sociale | 2 vite më parë

Godina e Poliklinikës së Specialistëve në Elbasan ka njohur rikonstruksion të plotë. 160 milionë lekë nga buxheti i shtetit ishte fondi i përdorur për të krijuar kushte krejt të tjera pune.

“Kushtet në poliklinikën tonë janë modernizuar, i ka ardhur në ndihmë të gjithë zonës së Elbasanit dhe jo vetëm. Ka ndryshime në infrastrukture”, tha Rezarta Saliu, Nëndrejtoresha e Teknikës, Poliklinika Elbasan.

Por veç kësaj, u investua në disa aparatura që ndihmojnë në ekzaminime më të shpejta e më të sakta. Për herë të parë në kabinetin e EKO-s abdominale tashmë kryhet ekzaminimi i gjëndrave tiroide dhe ekos së gjirit. Kabineti i neurologjisë, është pajisur me EEG (ezhenë) digjitale që shërben për zbulimin në kohë të patologjive të ndryshme. Risi në kabinetin e ORL-së është kryerja e ekzaminimeve  me anë të video skopisë, e cila mundëson shikimin në thellësi nëpërmjet kameras duke ndihmuar mjekun në diagnostikim e saktë dhe të shpejtë.

“Tek kabineti i ORL-së  kemi pajisje të reja moderne dhe e njëjta gjë është edhe tek pjesa okulistikës” u shpreh Saliu.

Kjo poliklinikë jep shërbim për afro 350 pacientë çdo ditë, ndërsa ju siguron ndihmë 430 mijë banorëve të Qarkut të Elbasanit.

/RTSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme