Martesa mes së njëjtës gjini – Reagon Kisha Katolike, është e papranueshme

Sociale | 2 vite më parë

Kisha Katolike ka reaguar në lidhje me ceremoninë simbolike martesore të çiftit të së njëjtës gjini, një ditë më parë. 

“Bazuar në traditën e Kishës Katolike, e cila nuk lejon e as nuk pranon bekimin e martesave të të njëjtës gjini. Në këtë aspekt, qëndrimi i Kishës Katolike mbetet i palëkundur, i pandryshueshëm dhe besnik i traditës e Magjisterit të Kishës. Nga ana tjetër shprehim shqetësimin tonë që nëpër institucionet shtetërore, siç është Bashkia në këtë rast, lejon këto ceremoni duke u bazuar në faktin se sipas legjislacionit shqiptar, martesat mes së njëjtës gjini nuk janë të pranueshme,” tha Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike.

Kisha Katolike sqaron po ashtu se personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike.

“Shprehim shqetësimin tonë që një person, i cili nga ana vizuale shfaqet si një person i Kishës Katolike me veshjet e saj, merr përsipër një bekim të tillë. Ai person nuk ka asnjë lidhje me Kishën Katolike, nuk është meshtar i Kishës,” u shpreh Dom Pashkja.

Lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tone përfundon në reagimin e tij Kisha Katolike.

Edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka shprehur qëndrimin në lidhje me ceremoninë simbolike martesore të çiftit të së njëjtës gjini, një ditë më parë. Në reagim Kisha thekson se është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre.

“Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë.

Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016)”, thuhet në reagim.

/rtsh.al/

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme