Presidenti Meta kthen ligjin “Për të huajt”, qeveria nuk ka strategji për frenimin e shpopullimit

Sociale | 5 vite më parë

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka njoftuar të martën se ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për të huajt”, duke shprehur vërejtjet e tij për  mungesën e një politike të qartë shtetërore në çështjet e migracionit, azilit dhe të trajtimit të të huajve në Shqipëri, si dhe të një strategjie për frenimin e shpopullimit.
Presidenti çmon se ndryshimet e rëndësishme të legjislacionit që trajton çështje kaq delikate dhe me impakt të gjerë për shoqërinë dhe kombin shqiptar, duhet të realizohen 
pas një analize të thelluar dhe objektive të të gjithë problematikave që kërkojnë adresim e zgjidhje të njëkohëshme përmes ligjit; – sipas një politike të qartë dhe afatgjatë shtetërore, si dhe përmes një procesi sa më gjithëpërfshirës për të tëhequr një konsensus sa më të gjerë.
Zoti Meta vlerëson se “zgjidhjet dhe alternativat që do të duhet të ofrojë ligji i ri, të jenë në përputhje me vlerat universale, të garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të ofrojnë qëndrueshmëri në kohë, dhe mbrojtje sa më të mirë të interesave të shtetit dhe të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, që të sigurojnë prosperitetin e të gjithë kombit, kulturën dhe solidaritetin shoqëror..”.
Sipas Presidencës, ligji “Për të huajt”, edhe pse hyn në llojin e atyre akteve ligjore që mund të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një shumice të thjeshtë, për nga objekti i marrëdhënieve juridikoshoqërore që rregullon, krijon një impakt afatgjatë për zhvillimet ekonomiko-shoqërore në vend.
Presidenti Meta kujton se “Në vazhdimësi prej kohësh kam shprehur publikisht shqetësimin tim dhe kam përcjellë mesazhe të qarta publike për faktin se, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, duke lënë pas edhe vende të sapodala nga lufta dhe konfliktet civile, duke shënuar edhe tkurrjen më të madhe të popullësisë nga migracioni. 
“…shteti shqiptar duhet të ringjallë shpresën tek të gjithë dhe të ofrojë kushte për një të ardhme më të mirë, për të gjithë, këtu, në vendin e tyre” shkruan zoti Meta.
Sipas presidentit “Ndërkohë që Shqipëria gjendet përballë këtij fenomeni të shpopullimit me këto përmasa, nga ana tjetër duket qartë se shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet me masa konkrete, afat shkutra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm”.
Presidenti Meta ka vërejtur se “…vetë Kryeministri në daljet e tij publikee ka evidentuar qartë se nuk ka asnjë plan për të frenuar shpopullimin e vendit, por përmes deklaratave të tij ka evidentuar se trendi i ikjeve të shqiptarëve nga vendi i tyre do të vazhdojë të jetë i lartë edhe për një dekadë, duke konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje”.
Presidenti konstaton me keqardhje se “jo vetëm që një strategji shtetërore për frenimin e shpopullimit mungon, porse ligjet që miratohen pasqyrojnë mungesën e vizionit për të adresuar problematikat aktuale të shoqërisë shqiptare, madje i rëndojnë e thellojnë më shumë ato”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme