Situata nga COVID-19, ministrja Kushi publikon udhëzuesin e hartuar për përmirësimin e arritjeve të nxënësve

Sociale | 5 vite më parë

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë miratoi sot udhëzuesin e hartuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), për përmirësimin e arritjeve të nxënësve si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi informoi se miratimi i udhëzimit erdhi pas një konsultimi me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, me mësues, prindër, si dhe ekspertë të arsimit.
Kushi tha se “qëllimi i tij është që t’i mundësojë nxënësve për një periudhë dyjavore në fillim të muajit shtator 2021 të përsërisin, përforcojnë apo përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor”.
“Përsa u takon temave që do të zhvillohen, ato do të jenë në formën e konsultimeve dhe në varësi të nevojave të identifikuara për çdo shkollë. Në këtë kuadër, nxënësit janë të lirë t’i ndjekin sipas nevojave të tyre, ndërsa prindërit janë të lutur të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të këtij procesi”, tha Kushi.
Duke vlerësuar maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e mësuesve përgjatë një viti të vështirë, Kushi theksoi se ata që do të zhvillojnë temat e përsëritjes gjatë kësaj periudhe do të paguhen me orë shtesë.
Ndërkohë për zhvillimin e një procesi sa më optimal, Kushi kërkoi nga organet e vetëqeverisjes vendore që të marrin masat e duhura në mënyrë që infrastruktura e shkollave të jetë gati për datën 1 shtator 2021.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme