Varret në Përmet i përkasin mesjetës

Prej ditës së enjte kanë nisur gërmimet arkeologjike për disa varre të zbuluara në qytetin e Përmetit, gjatë punimeve për infrastrukturën rrugore. Grupet e ngritura nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Sektori i Monumenteve të Kulturës në Përmet, kanë konstatuar deri tani 12 varre.
Arkeologu Mariglen Meshini, gjatë një interviste të dhënë për RTSH, është shprehur se varret e gjetura i përkasin periudhës së mesjetës, bazuar në strukturën dhe vendosjen e tyre në drejtimin Lindje-Perëndim, duke hedhur poshtë konstatimet se këto kanë qenë varre masive gjatë periudhës së komunizmit.
Meshini pohon gjithashtu se gjatë gërmimeve në vazhdim, mund të konstatohen një numër më i madh varresh mesjetare.
Zbulimi i varreve masive ngjalli fillimisht reagime të shumta. Shoqata antikomuniste e të përndjekurve politikë, shprehu dyshimin se ato ju përkisnin të zhdukurve nga diktatura komuniste. Sipas saj në atë zonë dikur ka qenë një ish-repart i Ministrisë së Brendshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



