Tirana, çfarë përmbysje ndaj Vllaznisë

Basketboll | 5 vite më parë

Tirana në basketboll për meshkuj është fituese për herë të 19-të e Kupës së Shqipërisë, ndërsa të hënën pasdite, në sallën sportive “Farie Hoti”, ka fituar me përmbysje ndaj Vllaznisë, 77-63. Mbetet skuadra shkodrane në shifrën e 12 Kupave të Shqipërisë, ndërsa për herë të fundit e kishte marrë këtë trofe ,ë 2015-ën. Në fakt ishte një ndeshje e mirë e luajtur nga të dy skuadra, atje ku herë njëra e herë tjetra janë shkëputur në pikë.

Në të tilla kushte ka përfunduar perioda e parë, 15-12 për Tiranën. Vllaznia rregullon lojën dhe arrin që të jetë e saktë në goditjet e veta. 17-24 perioda e dytë dhe në pushim kuqeblutë e Fabian Gjukës kanë kryesuar 32-36. Madje, teksa Tirana provon të luajë në zonë, Vllaznia përfiton dhe shkëputet deri në nëntë pikë diferencë. Por Tirana mbështetur fort tek fansat e saj, sidomos “Tirona Fanatics”, që kanë sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në sallën sportive “Farie Hoti”, përmbys avantazhin e shkodranëve.

24-16 për Tiranën perioda e tretë dhe në total 56-52. Vllaznia nuk ka më forcë reagime përtej udhëzimeve të trajnerit Fabian Gjuka. Ndizet “Farie Hoti”, ndërsa Tirana shkon e qetë drejt fitimit të Kupës së Shqipërisë, që vjen për bardheblutë pas katër vitesh. 21-11 perioda e katërt dhe në vërshëllimën e fundit të treshes Koçi-Gjoni-Kasmi fiksohen shifrat 77-63. Kupën për skuadrën fituese e ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Tanimë Kupa e Shqipërisë ia lë radhën kampionatit, ndërsa të enjten, në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, do të vijë ndeshja Teuta – Tirana në ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme