Tirana Barleti Basket meriton Kupën e Shqipërisë

Basketboll | 5 vite më parë

Tirana Barleti Basket është fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra dhe kjo për herë të parë në historinë e saj. Në derbin e kryeqytetit, që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Tirana Barleti Basket ka mundur Partizanin 74-71. Një ndeshje, e cila ka kërkuar kohën shtesë për të shpallur fituesen, pavarësisht faktit se Tirana Barleti Basket ka qenë e shkëputur deri në 12 pikë diferencë.

Perioda e parë është pikërisht për skuadrën fituese të Kupës së Shqipërisë, 22-16. Reagon Partizani, që fiton periodën e dytë 15-21 dhe pushim 37-37. Tirana Barleti Basket, mbështetur fort jo vetëm tek Eliverta dhe Gera Bujari, por edhe Milica Daboviç, arrin që të jetë në avantazh të katër pikëve në fund të periodës së tretë. E fiton atë 17-13 dhe në total 54-50.

Partizani nuk dorëzohet dhe si e tillë arrin që ta çojë ndeshjen në shtesë. 10-14 perioda e katërt për skuadrën e kuqe dhe barazim 64-64. Koha shtesë prej pesë minutash është për Tirana Barleti Basket, që fiton 10-7 dhe krejt ndeshjen 74-71. Kupën për skuadrën fituese e ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, së bashku me presidentin e Federatës së Basketbollit të Afganistanit, Gulam Gous.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme