Liga Unike Shqipëri-Kosovë, gati kampionati

Basketboll | 5 vite më parë

Liga Unike Shqipëri – Kosovë në basketboll tanimë ka zyrtarizuar shortin e kampionatit të saj, ndërsa do të luhet edicioni i dytë për meshkuj dhe i pari për femra. Të paktën edhe sipas saktësimit që ka bërë Liga Unike, për femra nis gjithçka në mesjavë, kurse për meshkuj fundjavën e ardhshme. Te femrat, atje ku janë në garë gjashtë ekipe, do të zhvillohen dhjetë xhiro (vajtje-ardhje) dhe më pas faza e Play-offit.

Në garën e meshkujve, kjo me pjesëmarrjen e tetë ekipeve, Liga Unike do të zhvillohet me sistem të dyfishtë vajtje-ardhje në edicionin 2021-2022. Pas përfundimit të 14 xhirove të rregullta në kampionatin e meshkujve, skuadrat që janë renditur në vendin e parë dhe të dytë kualifikohen direkt për Final Four, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i tretë deri në të gjashtin luftojnë në një minikampionat për të plotësuar katërshen.

E sipas formulës 3-6 dhe 4-5 ata luajnë me dy ndeshje kualifikuese vajtje-ardhje dhe vetëm kështu do të jetë gati Final Four i meshkujve. Kualifikohen për në gjysmëfinale ato që kanë rezultatin më të mirë në të dy ndeshjet duke marrë parasysh pikët totale. Ekipet e renditura më mirë në klasifikimin përfundimtar të 14 javëve në ndeshjen e kthimit luajnë si vendës.

Në javën e parë të femrave do të luajnë Tirana – Prishtina, Bashkimi – Partizani dhe Flamurtari – Penza, kjo e fundit fituese e Superkupës Mbarëkombëtare. Kurse për meshkuj në javën e parë Tirana Neptun – Rahoveci, Prizreni 16 – Kamza Basket, Vllaznia – Golden Eagle Ylli dhe Peja – Teuta. Golden Eagle Ylli është fituesja në fuqi e Ligës Unike për sezonin 2020-2021.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme