Diktati i FIFA-s: Kapitenët me shiritin ‘One Love’ do të ndëshkohen

Të gjitha ekipet kombëtare evropiane që marrin pjesë në Kupën e Botës në Katar heqin dorë nga vendimi i tyre për të mbajtur shirita kundër diskriminimit në Kupën e Botës pasi FIFA kërcënoi me masa disiplinore (dmth, kartonë të verdhë).
“Si federata, ne nuk mund t’i vendosim lojtarët tanë në një pozicion ku ata mund të jenë subjekt i sanksioneve sportive, duke përfshirë edhe kartonët”, thanë shtatë federatat e futbollit në një deklaratë të përbashkët sot. Vendimi, pas kërcënimeve të FIFA-s, erdhi pak orë para hyrjes në fushë të anglezit Harry Kane, holandezit Virgil van Dijk dhe uellsianit Gareth Bale, të cilët si kapiten të kombëtareve përkatëse duhet të kishin shiritat “One Love” gjatë ndeshjeve të sotme kundër Senegalit, Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Në ditët në vijim pritej që kapitenët e Belgjikës, Zvicrës, Gjermanisë dhe Danimarkës të mbanin shirit të njëjtë në krahë. “Prioriteti ynë numër një në Kupën e Botës është të fitojmë ndeshje”, tha federata holandeze e futbollit në një deklaratë të veçantë. “Dhe ne nuk duam që kapiteni ta fillojë ndeshjen me karton të verdhë”. Fushata ‘One Love’ u lançua në Holandë dhe simboli i saj është një logo shumëngjyrëshe në formë zemre që synon të promovojë përfshirjen dhe diversitetin në futboll dhe në shoqëri.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



