“Botërori 2022”, Anglia shpall listën

Uncategorized | 4 vite më parë

Trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt, ka bërë të ditur listën prej 26 lojtarësh që ai do të marrë me vete në Botërorin e Katarit. Xhejms Medison ishte një nga emrat e papritur në këtë listë, por duket se ka ardhur si shpërblim për formën e shkëlqyer që ai po shijon me Leister Sitin. Sauthgejti ka rikthyer në listë edhe Markus Rashfordin dhe Kallëm Uillsonin, ndërsa u ka rezervuar një vend në avionin drejt Katarit edhe Ben Uajtit, Kajli Uokerit dhe Kelvin Filipsit. Lojtarët e pafat që, përkundër pritshmërive kanë mbetur jashtë listës, janë Fikajo Tomori, Mark Guehi, Ivan Toni, Tami Abraham, Xherrod Bouin, Xhejms Uord-Prous, Xhoe Gomez and Tajron Mings.

Përzgjedhja e Medisonit nga ana e Sauthgejtit pritet të mbështetet nga opinionistët, të cilët i kishin bërë thirrje trajnerit të Anglisë që të thërriste 25-vjeçarin. Ndërkaq, përzgjedhja e Uokerit dhe Kalvin Filipsit mund të cilësohet si një bast i rrezikshëm, duke patur parasysh sesa kohë kanë pa luajtur dy futbollistët e Mançester Sitit, kurse Ris Xhejms dhe Ben Çiluell mungojnë për shkak të dëmtimit. “Ne donim që të siguroheshim se kemi gjetur barazpeshën e duhur në skuadër”, – ka theksuar trajneri i Anglisë, duke shtuar: “Ne donim mundësi të ndryshme zgjedhjeje për situata të ndryshme. Prandaj na u desh të mbulonim të gjitha rolet, pasi jemi pak më dobët në zona të caktuara.”

Duke shpjeguar mungesën e Abrahamit, Sauthgejti theksoi se sulmuesi i Romës “po kalon një formë të dobët në kohën e gabuar dhe mungesa e shënimit të golave është edhe më e rëndësishme”. Ndërsa sa i përket Medisonit, trajneri theksoi: “Ai po luan me të vërtetë mirë dhe e ka fituar të drejtën për të qenë në Botëror. 10 klube të Premier Ligës përfaqësohen në këtë listë të përfaqësueses angleze, me Mançester Sitin që ka më tepër, 5 lojtarë, ose thënë ndryshe 20 %.

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme