F1, Sainz: Ferrari dhe McLaren do të luftojnë për vendin e tretë

Formula 1 | 6 vite më parë

Carlos Sainz dhe Ferrari, dyshja që duket se kanë filluar me këmbën e mbarë. Spanjolli, në sezonin e tij të parë në timonin e të Kuqve nga Maranello, tashmë ka fituar 14 pikë në dy gara me vendin e 5-të të fituar në Çmimin e Madh Emilia-Romagna si rezultati më i mirë i marrë deri më tani, i cili lejoi ekipin italian të mbajë kontaktin me McLaren,  7 pikë i ndajnë të dy ekipet,  për të garuar për vendin e tretë në kampionatin e konstruktorëve pas Mercedes dhe Red Bull.

Një sfidë që, sipas Sainz, i sheh të dy skuadrat duke luftuar gjatë gjithë sezonit: “Cila është skuadra e tretë në kampionatin botëror të Formula 1? Ne dhe McLaren po luftojmë për këtë qëllim dhe ndryshimi është shumë delikat. Kjo e jona është një betejë shumë argëtuese  dhe në Imola, Norris ishte në gjendje të shfrytëzonte potencialin e plotë të makinës së tij, veçanërisht në garë “, fjalët e tij në një intervistë me As.

Sipas spanjollit, pra, do të jenë Ferrari dhe McLaren ata që do të garojnë për vendin e 3-të në kampionatin e konstruktorëve, prapa dy superfuqive Mercedes dhe Red Bull. Është e vështirë, megjithatë, pas vetëm dy garash, të thuash se cila nga dy skuadrat preferohet të marrë skeptrin:

“Ata mund të kenë pasur një avantazh të vogël këtë fundjavë, si dhe në Bahrein, por kur shkojmë në cirkuite që do të na favorizojnë pak  më shumë, mund të jemi përpara McLaren”, përfundoi Sainz. Beteja sapo ka filluar, por spanjolli është i gatshëm të bëjë gjithçka që është e mundur për të përfunduar kampionatin botëror përpara ish-skuadrës së tij.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme