Shefi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së hedh poshtë raportimet për një sulm të afërt nga Irani

Amerikë | 7 minuta më parë

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, ka deklaruar se nuk beson se ekziston një kërcënim i menjëhershëm që Irani të sulmojë Shtetet e Bashkuara me një të ashtuquajtur “bombë të pistë”.

Kjo deklaratë vjen në të njëjtën linjë me qëndrimin e mbajtur më herët nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Gjatë një seance dëgjimore mbi kërcënimet globale në Komitetin e Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, të mbajtur të mërkurën, ligjvënësi demokrat nga Teksasi, Al Green, e pyeti sekretarin Mullin nëse binte dakord me vlerësimin se Irani nuk përbën një kërcënim të afërt sa i përket një komploti me bombë të pistë.

Mullin u përgjigj shkurt dhe prerë: Po.

Një ditë më parë, në një intervistë për emisionin “Squawk Box” të CNBC, Mullin i kishte cilësuar planet e raportuara si thjesht “aspiruese” dhe jo si një kërcënim të ri, duke siguruar se vendi është i sigurt, por duke paralajmëruar se çdo sulm i mundshëm ndaj një qyteti amerikan apo Uashingtonit do të shkaktonte një “luftë të gjithanshme”.

Deklaratat e Mullin pasojnë reagimin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili gjatë një udhëtimi në Azi me Presidentin Donald Trump hodhi poshtë një raportim të rrjetit televiziv CNN.

Raporti në fjalë, duke cituar burime të inteligjencës amerikane, pretendonte se Teherani po shqyrtonte plane për të vënë në shënjestër zyrtarë të lartë të administratës Trump në Uashington me armë kimike ose me një bombë të pistë.

“Nuk mendoj se ka ndonjë kërcënim të afërt,” u shpreh Rubio. Edhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po monitoron çdo rrezik të mundshëm, por aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan.

Nga ana tjetër, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, mbajti një ton më të kujdesshëm gjatë së njëjtës seancë në Kongres, duke vënë në dukje se ekziston një rrezik i shtuar nga komplotet vdekjeprurëse të Iranit kundër qytetarëve amerikanë brenda dhe jashtë vendit, ndonëse pranoi se kërcënime të tilla nuk janë të reja.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump paralajmëroi të martën se nëse Irani do të tentonte një veprim të tillë, “do të paguajë një çmim që asnjë vend tjetër nuk e ka paguar më parë.”

Autoritetet iraniane i kanë mohuar kategorikisht këto akuza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, e cilësoi raportimin e CNN si një “narrativë mediatike të sajuar” që synon të krijojë pretekste për agresion të mëtejshëm kundër Iranit.

Po ashtu edhe misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara i hodhi poshtë pretendimet, duke theksuar se Teherani e konsideron përdorimin e armëve kimike si krejtësisht të paligjshëm në çdo rrethanë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme