Euro U17 në Shqipëri, FSHF vijon punën

Federata e Futbollit po vazhdon punën për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17, që do të zhvillohet në Shqipëri.
Grupi i punës i caktuar për këtë event madhor zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku në fokus ishin disa tema shumë të rëndësishme me qëllim organizimin dhe promovimin sa më të mirë të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Sa i përket infrastrukturës, kanë nisur punimet edhe në stadiumin “Niko Dovana”. Federata e Futbollit po investon në punimet për konstruksionin metalik të telekamerave, rifiniturat e mureve, dyert dhe dritaret e brendshme, bojatisjen, instalimet elektrike, punimet sanitare dhe mobilimin.
Gjithashtu, në vijim një tjetër grup pune nga UEFA pritet të mbërrijë në Shqipëri për të vëzhguar nga afër terrenet sportive.
Përzgjedhja e maskotës që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë Kampionat Europian, strategjia e komunikimit për mbulimin mediatik, çështja e biletave, hedhja e shortit dhe shumë tema të tjera u diskutuan në këtë mbledhje.
Të hënën, në rrjetet sociale të Federatës Shqiptare të Futbollit, do të prezantohet maskota e përzgjedhur dhe do të hapet një diskutim publik për të zgjedhur emrin e maskotës që do të shoqërojë Kombëtaren tonë në finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




