Platini dhe Blater lirohen nga akuzat për mashtrim

Michel Platini dhe ish-presidenti i FIFA-s, zvicerani Sepp Blatter, u liruan nga akuza për mashtrim ndaj FIFA-s. Gjykata Penale Federale e Bellinzonës nuk i pranoi kërkesat e prokurorit publik i cili më 15 qershor kishte kërkuar një vit e tetë muaj burgim për të dy. Dy të pandehurit janë deklaruar gjithmonë të pafajshëm.
Platini, 67 vjeç, ish-president i UEFA-s, u akuzua se “ka marrë në mënyrë të paligjshme, në kurriz të FIFA-s, pagesën e 2 milionë frangave zvicerane” (1.8 milionë euro) nga Blatter, 86 vjeç.
“Pas vendimit të gjyqtarëve të gjykatës së Bellinzonës këtë mëngjes, desha të shpreh lumturinë time për të gjithë të dashurit e mi që më në fund drejtësia u vendos pas shtatë vitesh gënjeshtra dhe manipulimesh”. Kështu është shprehur Michel Platini, ish-presidenti i UEFA-s, pas vendimit të gjykatës së Bellinzonës.
“E vërteta ka dalë në dritë. Lufta ime është një luftë kundër padrejtësisë. Kam fituar ndeshjen e parë. Në këtë rast, ka fajtorë që nuk u paraqitën gjatë këtij gjyqi. Unë nuk do të dorëzohem dhe do të shkoj deri në fund. Të bëhesh nga një legjendë e futbollit botëror në një djall është shumë e vështirë, veçanërisht kur bëhet në një mënyrë krejtësisht të padrejtë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




