UEFA, delegacion të tretë për inspektim

Në kuadër të organizimit të finales së Konferencë Ligës, që do të luhet në Tiranë më 25 maj 2022, ka mbërritur të hënën në Tiranë për të nisur një vizitë inspektuese treditore një delegacion i UEFA-s. Në fakt, UEFA ka dërguar në Shqipëri vazhdimisht përfaqësues të saj që nga nëntori i vitit të kaluar e në vazhdim për të kontrolluar të gjithë infrastrukturën aeroportuale, rrugore, hyrjet e daljet në qytet, hotelerinë, fushat ku do të stërviten ekipet finaliste, zonat ku do të grumbullohen tifozët e skuadrave si edhe përshtatja e stadiumit për finalen.
Siç dihet, në ditën e finales pritet që në Tiranë të mbërrijë një numër i madh tifozësh e zyrtarësh, por edhe personalitete dhe duhet që e gjithë infrastruktura për të pritur një fluks të madh njerëzish të jetë gati. Kjo është vizita e tretë inspektuese e grupit të punës të ngritur nga UEFA për organizimin e finales së Konferencë Ligës e që përbëhet prej 61 personash.
Fillimisht do të ketë një inspektim në aeroportin e Rinasit me përfaqësues të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit e më pas do të vijohet me takime me përfaqësues të Bashkisë Tiranë në lidhje me sheshet që do të përcaktohen për t’u mbledhur tifozët, parkingjet, kushtet që duhen krijuar, rrugët që do të bllokohen në ditën e finales, por edhe stolisjen e kryeqytetit me banesa para finales së madhe.
Sigurisht, një vëmendje e madhe do t’i kushtohet Stadiumit “Arena Kombëtare” dhe punimeve që duhen bërë aty për ta përshtatur çdo detaj me kërkesat e UEFA-s. Një aspekt i rëndësishëm është krijimi i të gjithë kushteve për të plotësuar kriteret e transmetuesit televiziv të finales.
Gjithashtu, pjesë e këtij grupi do të jenë dhe përfaqësues të sponsorëve të veprimtarisë, të cilët vijnë për të parë mundësinë për të organizuar aktivitete promovuese gjatë ditëve para finales. Në këtë vizitë do të diskutohet edhe për organizimin e vullnetarëve që do të angazhohen për këtë eveniment madhor. Në mars do të ketë edhe një vizitë inspektuese të fundit e më pas do të nisë puna në terren për përgatitjen e finales.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




