Homazhet në nderim të Sefedin Brahos, FSHF nderon ikonën e futbollit

Ish-futbollisti i shquar i Luftëtarit, Partizanit dhe Kombëtares, Sefedin Braho u përcoll për në banesën e fundit në një ceremoni homazhesh që u zhvilluan në Pallatin e Sportit në Gjirokastër.
Të afërm, miq dhe personalitete nga i gjithë vendi u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej lojtarëve më të famshëm të historisë së futbollit shqiptar.
Në këto homazhe morën pjesë edhe Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, Drejtori i Eventeve në FSHF, Tritan Kokona dhe përfaqësuesi i FSHF-së, Neritan Koçi, të cilët vendosën kurora në respekt të Sefedin Brahos.
Zv.Presidenti Dervishaj në prononcimin e dhënë gjatë kësaj ceremonie vlerësoi kontributin e madh që Braho ka dhënë për futbollin shqiptar gjatë karrierës së tij të lavdishme.
“Kjo është një humbje shumë e madhe për futbollin shqiptar. Braho ka qenë një figurë e shquar e ekipit Kombëtar, ka dhënë kontributin e tij në vitet 70-80, duke lënë shenjën me golat e tij. Ai padyshim do të mbetet në panteonin e lojtarëve të Kombëtares për atë që ka i ka dhënë futbollit. I pëjetshëm qoftë kujtimi i tij”, – tha Arben Dervishaj.
Braho, i cili njihej me nofkën “shigjeta” për shpejtësinë dhe elegancën e tij në fushë, spikati në vitet ’70-’80 si një nga lojtarët më të talentuar të kohës. Gjatë karrierës së tij, ai luajti me Partizanit dhe Luftëtarit, ndërsa me Kombëtaren kuqezi zhvilloi 9 ndeshje dhe shënoi një gol.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




