Lara Colturi, kampione e Botës

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Lara Colturi është kampione e Botës për Shqipërinë për të reja në Ski. E kjo në moshën deri në 18 vjeç në Botërorin, i cili është duke u zhvilluar në Austri. Vetëm 16 vjeçe ajo ka arritur të ishte e para në Super Gjigant, ndërsa ka regjistruar kohën 1’01”54. 19”53 në rrëshqitjen e parë dhe 37”05, ndërsa Kolturi ka bërë mrekullinë në këtë aktivitet. Aq më tepër që ishte dhe medaliste e artë për moshën deri në 18 vjeç një ditë më parë në Daunhill, apo rrëshqitje e lirë, me kohën 57”91. Në renditjen e përgjithshme ishte e katërta, por medalja e arta e së premtes i bën krenarë të gjithë në Shqipëri. Menjëherë pas garës, nga Austria, Lara Colturi ka shprehur emocionet e saj për këtë medalje të dytë të artë. “Jam ndjerë shumë mirë me këtë medalje të artë, e cila vjen pas asaj të djeshmes. Shpresoj të bëjë mirë dhe më tej në këtë aktivitet e veprimtaritë e ardhshme që më presin. Është emocion unik ky që unë ndjej në këto momente, sepse të jesh Kampione e Botës në moshën time është diçka e paimagjinueshme, por që ia arritëm. Më ka ndihmuar mamaja për të dhënë instruksionet e duhura në këtë garën dhe në fund ia arritëm. Nesër kemi garën tjetër e më pas, hap pas hapi, në ato konkurrime që kemi në vazhdim”, thekson Colturi Por nuk mund të mungonte dhe kënaqësia e presidentit të Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, për këto medalje të arta të Lara Colturi. Një skiatore e investuar për të qenë e tillë dhe për të bërë krenarë të gjithë Shqipërinë. 

“Lara na dha një sadisfaksion të paimagjinueshëm.  Për herë të dytë në podium, këtë herë edhe më lart. Kampione Bote edhe për 21-vjeçaret. Vetëm Lara na ngre lart flamurin këtu në Austri. Shpresojmë që edhe djemtë të dalin mirë. Është një emocion që nuk di t’ua përshkruaj. Por sot Lara tregoi që është një Kampione Bote dhe Shqipërinë do ta mbajë shumë lart”, thotë presidenti Toçi.   

Lara Colturi pas Botërorit të të rinjve dhe 21-vjeçarëve në Austri do të jetë pjesëmarrëse në Festivalin Europian të Rinisë në Friuli-Venecia-Xhulja, atje ku shpresohet të merret një tjetër medalje e artë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme