Boksi profesionist më 22 janar në Shkodër

Boksi shqiptar do të përjetojë një tjetër turne të rëndësishëm në nivelin profesionist, kurse Shkodra është bërë gati për ta mirëpritur atë. Bëhet fjalë për aktivitetin e 22 janarit, ndërsa kamera e RTSH Sport ishte e pranishme në palestrën e boksit të Vllaznisë, atje ku Arjon Kajoshi, Nelson Hysa, Senad Drini dhe Xhulio Vrenozi, nën drejtimin e trajnerëve Zef Gjoni, Jetmir Kuç dhe Lazarin Vila, ishin duke u përgatitur intensivisht. Në mbrëmjen e 22 janarit do të ketë dhe ndeshje të boksit amator.
“Vijnë boksierë nga Bjellorusia, Anglia dhe Bosnje-Hercegovina. Ndeshjet janë shumë të forta, konkurrenca është krejt e pastër. Prandaj ta marrë vesh dhe publiku i Shkodrës se nuk bëhet boks për të mos u kënaqur sportdashësi që do të vijë në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” më 22 janar”, thotë Zef Gjoni.
Trajneri Gjoni garanton se, nisur nga niveli cilësor i boksierëve pjesëmarrës, turneu i boksit profesionist do të dhurojë spektakël në ring. Madje gjen rastin që t’i bëjë ftesë dhe dashamirësve të boksit, të cilët më 22 janar do të duhet të jenë të shumtë në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër.
“Me mbështetjen e publikut të Shkodrës unë pretendoj që t’i fitoj të gjitha ndeshjet. Por takimet më kryesore janë ato të Nelson Hysës dhe Arjon Kajoshit”, thotë kryetrajneri i Vllaznisë në boks
Nelson Hysa, Arjon Kajoshi dhe Xhulio Vrenozi janë të bindur në suksesin e tyre më 22 janar në Shkodër.
“Shpresojm të kem një ndeshje të bukur. Boksierët janë të gjithë të fortë si kundërshtari im, ashtu dhe i Arjon Kajoshit, apo Xhulio Vrenozit, i cili është një ndër boksierët shqiptarë me më shumë ndeshje në profesionizëm”, shpjegon Nelson Hysa.
“Përpara këtij takimi kisha një ndeshje në Kosovë me gjashtë raunde, të cilën e fitova në raundin e katërt. Shpresoj që edhe këtë takim më 22 janar ta fitoj”, tregon Kajoshi.
“Shpresoj që të bëj dhe aty një ndeshje. Jemi në hapat e fundit të konfirmimit dhe besoj se do të marrim pjesë dhe aty”, deklaron Vrenozi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




