Xhokoviç rikthehet në Australi

Novak Xhokoviç pranoi të enjten se dëbimi nga Australia ishte një përvojë që nuk do ta harrojë kurrë, por tani është koha për të vazhduar. Ndërsa ka provuar një pritje të ngrohtë në Adelaide. Ylli serb, i cili do të konkurrojë për kurorën e 22-të të Grand Slam për meshkuj në Australian Open muajin e ardhshëm, u rikthye në Australi, pothuajse pas një viti që kur u përjashtua nga ky shtet, pasi Nole nuk kishte pranuar të bënte vaksinën kundër Covid- 19.
Edhe pas një beteje ligjore, shteti australian nuk pranoi që tenisti të qëndronte për të zhvilluar turneun i pavaksinuar, në një kohë që rregullat e kërkonin vaksinën të detyrueshme. Xhokoviçit iu ndalua për tre vjet hyrja në Australi, por më pas autoritetet vendore e hoqën këtë masë ndaj tenistit serb, pasi qeveria e re australiane ndryshoi masat anticovid.
“Ajo që ndodhi vitin e kaluar është një ngjarje që nuk do të harroj kurrë. Do të qëndrojë në mendjen time deri në fund të jetës”, – tha Xhokoviç, pasi mbërriti në Adelaide International. – Megjithatë unë do të vazhdoj përpara. Kthimi në Australi tregon se si ndihem unë për të gjithë tifozët e mi në këtë vend. Se si ndihem unë për të luajtur këtu”.
Dhe dashuria e tifozëve australianë për 9 herë fituesin e Australian Open është treguar që kur ai mbërriti në aeroport, më pas përpara hotelit ku qëndroi dhe deri në shoqërimin e tij në fushën stërvitore. “Kujtimet dhe historia e mirë që kam krijuar në tokën australiane më japin shumë emocione pozitive dhe besim se mund të fitoj sërish dhe mund të shkoj më larg” – ka thënë tenisti 35 vjeçar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




