Flamurtari me objektiva madhorë

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Flamurtari në basketboll për femra ka fituar Kupën e Federatës. Dhe ky sezon ka nisur në mënyrën më të mirë për klubin shumësportësh Flamurtari, ndërsa vajzat vlonjate tani do të përqendrohen për kampionatin. Jo vetëm kaq, por klubi shumësportësh Flamurtari nuk heq dorë nga ekipet zinxhir si një furnizim i mirë për skuadrën e parë. Madje në plan të parë do të jetë dhe skuadra e meshkujve të basketbollit, apo dhe volejbolli i femrave.

“Kemi krijuar një ekip solid në basketboll për meshkuj, teksa kemi marrë një amerikan dhe një serb. Qëllimi është ngjitja në Superligë dhe pse jo më vonë të pretendojmë dhe më shumë. Po kështu kemi ekipin e boksit, aq më tepër që më 6 tetor do të nisë kampionati i të rriturve në Vlorë, ndërsa pretendojmë të jemi kampion. Kemi bërë disa ndryshime në skuadra të tjera, atje ku në krye të ekipit të femrave të rrjetës ka ardhur Bleona Meçorapaj. Pra në përgjithësi të gjithë ekipet i kemi solide”, thotë Kaso.

Për basketbollin e femrave objektiv më vete do të jetë Superkupa Mbarëkombëtare, si dhe Liga Unike, në të cilën Flamurtari është pjesëmarrëse e rregullt

“Ne synojmë që të jemi përsëri organizatorë të Superkupës Mbarëkombëtare, ashtu si dhe në vitin e kaluar. Por gjithsesi në të kundërt do të kërkojmë që të organizojmë Final Four të Ligës Unike duke pretenduar që me vajzat e basketbollit ta marrim atë trofe”, përfundon Kaso.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme