Pritje madhështore për Luiza Gegën

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Të martën është zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ dhe në Kryeministri një ceremoni e veçantë në nderim të kampiones së sapokurorëzuar të kontinentit në garën e 3000 metrave me pengesa, Luiza Gega, e cila triumfoi të shtunën në Kampionatin Europian të Atletikës, që u mbajt në Mynih. Pas një parade nderi përgjatë Bulevardit kryesor të kryeqytetit, ceremonia ka vijuar në Kryeministri. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka dhënë lajmin e mirë për vlerësimin e Luizës, por të sportistëve elitarë.

“Ka pasur nga ata që në vend që të gëzohen janë përpjekur ta helmojnë atmosferën me komente. Çfarë ka bërë shteti për Luizën, a ka shtëpi Luiza apo jo. Mbështetja e qeverisë nuk mund të ndryshojë gjithçka në jetën e një sportisti. Sot sportistët trajtohen vlerësohen me respekt dhe dinjitet brenda mundësive dhe kushteve të një shteti si Shqipëri. Kemi një kuadër ligjor të përafruar me atë të BE. Një buxhet të shtuar disa fish për sportin. Kemi stadiume, parqe olimpike. Kemi bashkëpunim mes qeverisë, bashkisë, komitetit olimpik dhe vetë sportistëve. Do të kemi për herë të parë edhe grada honorifike për sportistët. Është një hap domethënës që vlerëson punën e sportistëve. Pas këtij ligji Luiza do të gëzojë gradën kolonel. Luiza përfiton shpërblimin përkatës për çdo medalje dhe çdo rekord. Luiza ka mbështetjen e kombit shqiptar. Kjo është arritja më e madhe për Luizën. Luiza ia doli të ngjitët në majë. Madhështia duhet të keë patjetër thjeshtësi, mirësi dhe vërtetësi. Dhe Luiza i ka të treja”

Edhe kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka përgëzuar atleten kuqezi.

“Kjo punë nuk është bërë vetëm nga Luiza. Por edhe nga trajneri i talentuar që është Taulanti. Është pjesë edhe ministria përgjegjëse për sportin dhe Bashkia e Tiranës që i kanë krijuar asaj kushte të mira për t’u stërvitur në Dardhë, në pistën e Korçës, apo edhe në Kenia. Sepse atje ka një lartësi 3200 metra. Shkenca thotë nëse stërvitesh në lartësi të tilla krijohet dopping artificial. Luiza ka treguar performancë të jashtëzakonshme. Kryeministri ka vendosur një standard që nderojnë Shqipërinë duhet të priten gjithmonë në këtë mënyrë. Sepse sportistët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Kemi nisur një rrugë të përbashkët duke bërë disa ligje të mira në parlament. Ecuria e Luizës është edhe falë këtyre ligjeve. Sportistët shqiptarë nuk marrin më rrugët për të ikur jashtë vendit.

Ne nuk kërkojmë lëmoshë. Ne e duam qeverinë partner”

Për Kryeministrin Edi Rama, triumfi i kampiones shqiptare ishte shumëdimensional, ashtu sikundër do të jetë edhe shpërblimi.

“Në atletikë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë, pasi Luiza Gega la pas një gjermane dhe fitoi Kampionatin Evropian në Mynih. Atletja Luiza Gega i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie, sipërmarrja e saj është marramendëse. Atletja Luiza Gega me fitoren e saj i dhuroi Shqipërisë imazhin e një vendi që ia del. Luiza Gega ka bërë hapa të pafundmë sflitjeje, gjaku, lotësh dhe djerse, që  janë parakushti i çdo përparimi. Luiza Gega është pararendëse, paralajmëruese dhe parakumtuese sipas shkrimeve të shenjta. Luiza Gega parakumtuese e një Shqipërie, ku shumë vajza e djem do të merren me sport. Të jesh kampione Evrope i një vendi që pistën e vet Europiane e ka ndërtuar tani, tregon që asgjë nuk të pengon të ngjitesh në majë nëse je i vendosur. Kush është i vendosur të ngjitet në majë, paguan çmimin e sfilitjes, gjakut, lotëve dhe djersës. Shqipëria sot i shpërblen sportistët që bëjnë sukses më shumë se shumë vende të tjera që kanë më shumë suksese. Shifra shpërblyese për Luiza Gegën nuk mund të imagjinohej nga ata sportistë që lanë vendin për të përfaqësuar vende të tjera. Nuk ka shpërblim financiar dhe medalje, që kompenson sfilitjen, lotët, gjakun dhe djersën e derdhur nga Luiza Gega”.

Në vijim, Kryeministri Rama i ka akorduar atletes “Kordonin e Madh të Yllit të Mirënjohjes Publike”, që është një shenjë përuljeje dhe mirënjohjeje për Luiza Gegën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë lajmin për zhvillimin e projektit të njëjtë si tek “Arena Kombëtare” edhe për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” dhe për stadiumin “Selman Stërmasi”.

“Me kërkesë të kryeministrit ne kemi filluar të gjitha procedurat që të bëjmë të njëjtin projekt që u bë me Arenën Kombëtare edhe për Pallatin e Sportit edhe për stadiumin “Selman Stërmasi”. Tani pyetja është do i bëjmë këto sa kemi takat apo do harxhjmë të sqarojmë cinikët, thikat pas shpine që marrin gjysmën e kohës të realizojmë projekte të tilla?”, tha Veliaj në ceremoninë e nderimit për kampionen e Evropës Luiza Gega. Veliaj tha se Luiza nuk është marrë kurrë “me sportin e rrezikshëm të sharjes së vendit”. “Edhe në ditët kur nuk ishte kjo qeveri e kjo bashki, as këto kushte, Luiza nuk e praktikonte kurrë atë që i shari i shtetit të vet, se ka bërë kurrë dhe në ditët e vështira, nuk i doli kurrë një fjalë e keqe, të luajë sportin e sharjes së vendit s’e ka bërë kurrë. Sot jam dyfish krenar si shqiptar dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, do jetë xhevahiri i klubit tonë kjo arritje”. tha Veliaj.

Në mbyllje ka folur edhe vetë kampionia e Evropës, e cila ka shprehur mirënjohjen. “Para shumë vitesh, kur kam marrë pjesë në një kampionat europian në Paris, dola nga fundi dhe me diferencë. Kisha veshur ngjyrat kuqezi dhe nuk isha ndjerë kurrë kaq keq. Dhe biseda me trajnerin ishte që kurrë nuk vij të përfaqësoj vendin tim. Doja të isha afër me konkurrentet e tjera. Aty isha ndarja se çfarë doja të bëja. Duhet të punoja shumë. Ishte një hap shumë i vështirë. Dhe trajneri më tha që do të kërkojë shumë mund dhe sakrificë. Duhet të stërvitesha në shi dhe të ftohtë. Pavarësisht halleve familjare. Filluam të bëjmë hapa që më sollën këtu. Rrugëtimi nuk ka qenë kaq i suksesshëm. Kam pasur shumë vështirësi. Sportistët pësojnë edhe dëmtime që të kthejnë mbrapa. Kam pasur edhe oferta për vazhduar me shtete të tjera por e dua këtë vend. Vërtetë e kam besuar që do vijë një ditë që vendi ynë do të ndryshojë. Kemi vërtetë gjëra për të përmirësuar, por kemi ecur shumë përpara. Nuk është kurrë vonë nëse do t’ia dalësh”, tha Luiza Gega.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme