Mbërrin Luiza Gega, pritje ceremoniale për të

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Luiza Gega, Kampionia e Europës në 3000 metra me pengesa me kohën 9’11”31, ngjarje kjo e ndodhur të shtunën në mbrëmje në Mynih, është pritur në mënyrë ceremoniale në Aeroportin “Nënë Tereza”. Një tufë me lule për kampionen e Europës nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, që e shoqëruar nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ai i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, si dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gerti Shima, e ka pritur Gegën në shkallët e avionit. Nuk ka munguar në këtë ceremoni dhe drejtoresha e klubit shumësportësh Tirana, Deborah Keçi. Pritje nën marshet e ekzekutimit të himnit të Bandës së Tiranës, ndërsa më pas Gega nuk ka munguar të flasë dhe për Radio Televizionin Shqiptar. E gjithë ceremonia e mbërritjes së Kampiones së Europës në Shqipëri, Luiza Gega, erdhi drejtpërsëdrejti në RTSH 24.

“Më është dashur të jetoja larg familjes vetëm për këtë gjë. Ka ndryshuar mbështetja financiare, qoftë kjo nga Bashkia dhe nga klubi i Tiranës. Dy vitet e fundit ka ndryshuar shpërblimi për sportin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mezi pres të takoj familjen time, pasi nuk kisha mundësi të takoja as mamanë time. Nuk mundesha dot të lija stërvitjen në mal për këtë ëndërr. Nuk do të doja të zgjidhja asgjë tjetër për këtë gjë. Jam shumë e lumtur që sot u shpërblye çdo sakrificë e imja”, tha Luiza Gega.

Por shumë e emocionuar në fjalën e saj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. “Ky vit ka qenë plot ngjarje të rëndësishme për sportin. Kupa e Botës në taekuondo, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare. Përveç Ligjit të ri për Sportin, unë jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar që të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të kategorive ‘të rritur’ dhe ‘të rinj’, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare. Ishte një vendim për t’i dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke motivuar kështu jo vetëm ata por edhe gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport.

E dashur Luiza, ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjate punës sime si Ministre Sportesh ka qenë momenti kur ti dhe Brikeni valëvitët flamurin tonë kuqezi në Stadiumin Olimpik të Tokios 1 vit më parë. E momenti i dytë më emocionues ka qene këtë të shtunë teksa ti, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletike. Nuk ka emocion më të bukur sesa lotët e gëzimit.”, përfundoi Evis Kushi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme