Rrëfimi i Luiza Gegës për RTSH 24: Nuk ka asgjë të pamundur

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Luiza Gega, në një lidhje Skype me RTSH 24, ka treguar emocionet e medaljes së artë në Kampionatin Europian të Mynihut. Me 9’11”31 të shtunën në mbrëmje, e arta e atletikës shqiptare pushtoi kontinentin. Bëri të gjithë Europën të flasë për të, por dhe të gjithë politikanët në vend. E të dielën Luiza Gega ka marrë medaljet, ndërsa të hënën në mbrëmje do të jetë në Tiranë. Për të nuk ka asgjë të pamundur nëse stërvitesh vazhdimisht.

“E besoja një medalje të artë, sepse kam patur një vit të suksesshëm. Medalja e artë ishte e sigurtë, nisur kjo edhe nga rezultatet e mia në aktivitetet e fundit. Ndaj dhe e besoja shumë. Kam punuar shumë, sidomos pas Botërorit të Oregonit. Kemi bërë një minifazë në Korçë, sepse unë shkoj pothuajse çdo verë atje. Shkoi shumë mirë stërvitja dhe më dha besim se mund të arrija atë që doja. Sigurisht që nuk do të ishte e lehtë, kundërshtaret ishin të forta, sidomos britanikja. U mundova të bëja një garë taktike. E për këtë gjë diskutuam me trajnerin se si të vrapoja. Emocion shumë i madh. Nuk është se ka ardhur nga një gjë e rastësishme, apo nga një stërvitje njëmujore. Por duke qenë se përpara gjashtë vjetësh isha Nënkampione Europe në Amsterdam e doja këtë medalje të artë dhe e arrita”, thotë Gega nga Mynihu.  

Por sa e prekshme është tanimë një medalje botërore, apo Olimpike? “Objektiva nuk mund t’i parashikoj dhe t’i jap kaq larg. Çdo gjë shihet si shkon stërvitja, faza, gara. Çdo gjë varet nga performanca. E mira është të mos kemi dëmtime. Unë jam e katërta në Botë, sepse një vajzë ka probleme me anti-dopingu, pavarësisht se deri më tani rezultoi e pesta. Jam një hap një larg medaljes Botërore. Gjërat janë të prekshme dhe jo rastësisht jam në këto nivele. Nuk ka asgjë të paarritshme nëse punon vazhdimisht”.

Për trajnerin e Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, kjo atlete nuk njeh limite. “Kurrë një trajner nuk mund të besojë se do të arrijë në këto nivele. Për më tepër flasim për një vend si Shqipëria. Çdo ditë stërvitje t’i kupton që Luiza nuk ka limite. Kjo është ndër ato sportiste që nuk bën garë me kundërshtarin, por me vetveten. Çdo gjashtë muaj, çdo sezon Luiza përmirëson rezultatet e veta. Të gjithë komentatorët dhe gazetaret e shihnin si favorite. Tanimë pas dy vitesh është shumë e rëndësishme ta ruajë këtë trofe. Dhe unë besoj fort tek Luiza”, thekson Stërmasi.  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme