“Oran 2022”, konkurojnë tre shqiptarët e parë

Pas ceremonisë së hapjes, të zhvilluar të shtunën në mbrëmje dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, edicioni i 19-të i Lojërave Mesdhetare ka vijuar me garat e tij. Në këto Lojëra merr pjesë edhe Shqipëria e cila do të garojë me 20 sportistë në 10 disiplina sportive, aty ku pretendohen edhe një numër medaljesh. Të parët që kanë garuar kanë qenë mundësit kuqezi dhe 3 prej tyre e kanë mbyllur shpejt garimin e tyre në këtë veprimtari madhore rajonale.
Kështu, në mundjen klasike, apo thënë ndryshe greko-romake, në kategorinë e peshës trupore deri në 60 kg, Bajram Sina u mund 0-1 në përballjen e turit të parë përballë sirianit Alnakdali. Ndërkaq, po në turin e parë është mundur në kategorinë e peshës trupore deri në 67 kg edhe Gjetë Prenga, që ka kapitulluar 0-9 përballë egjiptianit Abdelrahman.
Kurse në kategorinë e peshës trupore deri në 77 kgm Kevin Kupi ka mposhtur në turin e parë sllovenin Gumilar 10-8 me pikë, por ka vijuar të mundet në çerekfinale 0-1 përballë serbit Nemes. Çdo ditë garat më të mira dhe gjithçka rreth paraqitjes së sportistëve shqiptare do të vijë në RTSH Sport deri më 6 korrik 2022.



Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




