Luiza Gega, e 13-ta në Botërorin e Beogradit

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Sportistja shqiptare, Luiza Gega, e ka mbyllur në vendin e 13-të të renditjes garën e saj të 3,000 metrave në Kampionatin Botëror të Atletikës në Salla të Mbyllura, që u zhvillua në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Në fakt, në atë që ishte një pjesëmarrje masive, plot 20 konkurrente, Gega është përballur me një sfidë të fortë në trajtën e më të mirave të planetit në garat e gjysmëthellësisë dhe të thellësisë, por ia ka dalë sidoqoftë të lërë prapa 7 sportiste të tjera, duke mbërritur në finish me kohën 8 minuta, 53 sekonda e 14 të qindtat.

Duhet theksuar këtu se atletja kuqezi erdhi në këtë garë duke patur kohën e 17-të këtë vit në këtë disiplinë dhe e mbylli garën duke regjistruar kohën e 13-të më të shpejtë. Po kështu, teksa podiumi u pushtua nga dy etiopiane dhe një amerikane, Gega ishte në fakt e 3-ta sa u përket vrapueseve nga kontinenti evropian në atë që ishte një garë e rrëmujshme dhe e egër. I kontaktuar nëpërmjet komunikimit elektronik, trajneri i Gegës, Taulant Stërmasi, është shprehur përgjithësisht i kënaqur me paraqitjen e atletes së tij, duke patur parasysh mënyrën e zhvillimit të garës.

 “Për vetë numrin e madh të pjesëmarrëseve dhe faktit që u garua ashpër dhe ngjeshur, teksa etiopianet bënë edhe lojë skuadre, ishte një garë ku më tepër u treguam të kujdesshëm për të marrë maksimumin dhe për ta përdorur atë si platformë për garat e radhës”, – ka thënë Stërmasi.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme