Liga “Gjergj Kastrioti” në RTSH Sport

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Veprimtaria e përbashkët e rrjetës në dy anët e kufirit shqiptar, Liga “Gjergj Kastrioti”, do të luajë të mërkurën aktin e saj të fundit, që janë dy sfidat finale. Ky edicion i parë i kësaj veprimtarie mbarëkombëtare u zhvillua me një format të reduktuar dhe, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, morën pjesë përkatësisht dy ekipe nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. Dhe, si tek femrat, ashtu edhe tek meshkujt janë ekipet nga Shqipëria që do të përballen me njëra-tjetrën në finale.

Kështu, tek femrat, do të jetë një duel midis dy skuadrave që i kanë dhënë tonin sezonit të volejbollit të femrave në Shqipëri. Skënderbeu, që e humbi ndeshjen e parë në Kosovë, 2-3 përballë Fer Volejit, por vijoi të fitonte 3-1 në Korçë në dy duelet e gjysmëfinales, do të sfidohet në finale nga Tirana, e cila, nga ana e saj triumfoi në të dy takimet 3-1 dhe 3-0 përballë Dritës së Gjilanit.

E njëjta tablo ka qenë edhe tek meshkujt, atje ku Erzeni i ka fituar në 3 sete të dy takimet ndaj Ferizajt dhe në finale do të përballet me Tiranën, e cila nga ana e saj gjithashtu i fitoi bindshëm të dy përballet në gjysmëfinale ndaj Pejës. Dhe kjo finale e meshkujve do të jetë një përsëritje e asaj të Kupës “Pavarsia” nëntorin e shkuar, ku Tirana pati fituar në 3 sete ndaj shijakasve.

Në fakt, të dy finalet e Ligës “Gjergj Kastrioti”, që janë një kopje e finaleve të Kupës së Shqipërisë, që luhen pak ditë më pas, do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur me duelin e femrave, Skënderbeu-Tirana, në ora 16:30 dhe duke vijuar me duelin e meshkujve, Erzeni-Tirana, që nis në ora 19:00.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme