Erzeni, fitore bindëse ndaj Ferizajt

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Erzeni ka hedhur hapin e parë drejt finales së Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejboll për meshkuj, teksa të shtunën pasdite, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtëpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar nga Pallati i Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, ka mundur 3-0 Ferizajn. Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për skuadrën e Parid Uruçit, që në fakt është përforcuar gjatë merkatos së dimrit me ukrainasin Azarov dhe serbin Loziç.

 Madje e ka nisur vrullshëm lojën, ndërsa shkëputet në 6-3. Pikërisht në këtë moment dëmtimi i Amorim në gishtin e madh të dorës së majtë e ndihmon skuadrën e Arif Elezit që të rikthehet në lojë. 20-18 për Erzenin, 21-21, 24-25 dhe në fund në pikët shtesë, 27-25 fiton skuadra vendëse. Edhe i dyti është i ekuilibruar; 17-19, 23-22 dhe përfundimisht 26-24. Seti i tretë është dominim total i Erzenit, që në fund fiton 25-23 dhe krejt ndeshjen 3-0.

Ndeshja e kthimit do të luhet më 26 shkurt në Ferizaj, kurse finalja, si në volejboll për femra, ashtu dhe për meshkuj do të zhvillohet më 2 mars në sallën olimpike “Feti Borova”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme