Skitë shqiptare “pushtojnë” Dolomitet

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Federata Shqiptare e Skive është bërë organizatorja e Ses Cup, Kampionatit Botëror dhe Europian të vendeve të vogla në zhvillim, pikërisht në Kronplatz të Italisë. Një pistë skish në Dolomite prej nga ka ardhur dhe transmetimi i drejtpërdrejtë i Radio Televizionit Shqiptar nën komentin e Alban Hasanit dhe specialistit të këtij sporti, ish-rektorit të Universitetit të Sporteve, Agron Cuka, shoqëruar dhe me intervistat e drejtueses së Rubrikës Sportive, Hygerta Sako. Një kampionat në të cilin kanë marrë pjesë mbi 200 sportistë, ndërsa në ditën e parë është konkurruar në disiplinën e sllallomit special.

Për meshkuj, pas dy rrëshqitjeve të para, në krye të renditjes është vendosur francezi Stiven Amiez me 1’31”54. E pas tij polaku Mihal Jasiçzek me 1’31”72 dhe letonezi Miks Zvejnieks me 1’32”15. Erjon Tola do të ishte i 38-ti në renditjen e përgjithshme. Kevin Qerimi i 39-ti dhe Marsel Biçoku i 54-ti. Nuk e kanë përfunduar garën Vasil Veriga, Ezio Leoneti dhe Deni Xhepa.

 “Sigurisht që nuk ishte një garë e mirë. Pista ishte e ngritrë dhe si pasojë rrëshqita dhe nuk munda më pas të vazhdoja garën. Normalisht që janë dhe tre gara të tjera për të përmirësuar paraqitjen tonë. Megjithatë ndihem në formë e do të kem në vazhdim rezultate më të mira”, ka deklaruar Ezio Leoneti.

E duke qenë se jemi në prag të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat më 4-20 shkurt zhvillohen në Pekin, në këtë aktivitet nuk kishte se si të mungonte presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Sllallomi special është zhvilluar dhe për femra, atje ku përsëri ka dominuar Franca me Marie Lamur, e cila zuri vendin e parë me kohën 1’41”98. Në vendin e dytë kanadezja Lorens Sent-Zhermen me kohën 1’42”93 dhe në vendin e tretë italiania Vera Tshusherntaler me kohën 1’43”49. Nga Shqipëria mori pjesë Kiara Di Kamilo, e cila u rendit e 29-ta me kohën 3’01”79.

Një fanellë e veçantë për presidentin e Federatës Botërore të Skive, Johan Elias, nga presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi.

 “Është vërtetë e bukur kjo që po shoh në alpet e Italisë dhe shumë e bukur kjo që po zhvillon Elvis Toçi. Unë shpresoj që këto gara të mira të japin nxitjen për zhvillimin e skive dhe në Shqipëri e që shumë shpejt të ketë pista për aktivitete ndërkombëtare dhe në vendin tuaj”, ka deklaruar Johan Elias.

E diela, që do të jetë përsëri në transmetim në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar duke nisur nga ora 09:00, do të jetë për kampionatin kombëtar të skive shqiptare në disiplinën e sllallomit special.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme