Fidel Ylli: Medaljet e Caljes, sukses për Shqipërinë

Emocionet e tre medaljeve të Briken Caljes në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur në Tashkent i ka përjetuar direkt dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili ka qenë në Uzbekistan me ftesë të Presidentit të Komitetit Olimpik të atij shteti. Sipas tij, në një prononcim për RTSH Sport nga Tashkenti, këto ishin frytet e grumbullimit që kombëtarja e Peshëngritjes bëri që nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”
“Sportistët tanë kanë bërë një performancë të jashtëzakonshme, si Evangjeli Veli, që doli në vend të katërt dhe kishte mundësi të merte medalje, por dhe dy sportistët që kanë konkuruar në një peshë, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, kanë bërë një figurë mjaft të mirë në Botëror”.
Madje sipas Yllit duhet të vijojnë përgatitjet intensive për Lojërat Olimpike “Paris 2024”, sepse të gjitha sportet premtojnë për më shumë medalje
“Ne mendojmë që këto grumbullime duhet të vazhdojnë sepse Paris 2024 po afrohet dhe ne duam që të prekim medaljen Olimpike”.
E për të parin e olimpizmit shqiptar viti 2021 është i sukseshëm pikërisht me këto medalje të peshëngritjes shqiptare
“Ky vit u mbyll mirë, pasi përveç medaljes së Alban Beqirit, në vend të tretë në Botërorin e Boksit në Beograd, medalje të shumta të taekëondo në Ballkaniadë, medaljet e boksit në Ballkaniadë dhe Europian dhe këto tri medalje të Caljes, kanë mbyllur vitin 2021 me rezultate të mira për ekipet tona”
Ndërkohë gjatë vizitës në Tashkent, Ylli ka realizuar dhe një takim në Komitetin Olimpik të Uzbekistanit, ndërsa pritet që shpejt të kthehet vizita në Tiranë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




